Ushtria e Ukrainës thotë se parashutistët rusë kanë zbarkuar në qytetin e saj të dytë më të madh të rrethuar, Kharkiv, raporton BBC.
Të paktën 21 persona u vranë dhe 112 të tjerë u plagosën nga bombardimet në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, në 24 orët e fundit.
07:44 – 21 të vrarë dhe 112 të plagosur nga bombardimet në Kharkiv
Të paktën 21 persona u vranë dhe 112 të tjerë u plagosën nga bombardimet në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, në 24 orët e fundit.
Numri u konfirmua nga guvernatori i qytetit Oleh Synyehubov, shkruan SkyNews.
Vdekjet lidhen me bombardimet që ndodhën në Kharkiv ditën e fundit, kur raketat ruse goditën ndërtesën e administratës rajonale dhe zonat e banuara.
Ndërkohë, u raportua se parashutistët rusë kishin sulmuar një spital ushtarak në Kharkiv gjatë natës.
Shefi i policisë së rajonit Kharkiv, Volodymyr Tymoshko tha se “situata pranë spitalit është nën kontroll”.
07:42 – Dy civilë të vrarë pas sulmit në Zhytomyr
Ukraina thotë se një sulm raketor rus gjatë natës ka vrarë të paktën dy persona në qytetin Zhytomyr, i cili shtrihet 120 kilometra në perëndim të Kievit.
Sulmi, që synonte një bazë ajrore në qytet, goditi shtëpitë e banimit aty pranë.
Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës ka shkruar në Twitter se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur. Një zyrtar qeveritar, Anton Gerashchenko, kishte thënë më herët në llogarinë e tij në Telegram se numri i të vdekurve ishte edhe më i lartë.
“Deri më tani, katër persona kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë”, tha ai.
Llogaritë e qeverisë së Ukrainës në Facebook dhe Telegraph kanë shpërndarë një video për të cilën ata thanë se ishte nga pasojat e shpërthimit.


