“Isha në një mision për vendin tim,” tha Elina Svitolina nga Ukraina e cila mundi Anastasia Potapova të Rusisë në raundin e parë të turneut të tenisit WTA në Monterrey.
“Gjithçka që fitoj këtu do të shkojë në ushtri, faleminderit për mbështetjen tuaj”, tha Svitolina, e cila mposhti lehtësisht Potapova, 6:1, 6:2, përcjell GazetaBlic Sport.
Svitolina, e cila është e 15-ta në botë, fillimisht mendoi të bojkotonte ndeshjen në shenjë proteste kundër pushtimit rus në vendin e saj. Të hënën, ajo paralajmëroi se do të refuzonte të luante kundër tenistëve rusë dhe bjellorusë nëse nuk janë nën një flamur neutral.
ATP dhe WTA më pas njoftuan se rusët dhe bjellorusët mund të vazhdojnë të marrin pjesë në turne, por “jo nën flamurin” e vendit të tyre “deri në një njoftim tjetër”.
Svitolina në raundin e dytë do të luajë kundër bullgares Viktoria Tomova.
/GazetaBlic Sport


