Kryetari i shtetit kroat, Zoran Milanoviq, ka thënë se Ukrainës duhet t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Milanoviq tha se është në interesin strategjik dhe kombëtar të Kroacisë që vendet e Evropës Juglindore, përfshirë Kosovën, që sipas tij, kanë deklaruar dhe dëshmuar synimin dhe gatishmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në BE, të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.
“Presidenti Milanoviq ka propozuar që të kërkohet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE si për Bosnje-Hercegovinën ashtu edhe për Republikën e Kosovës dhe që BE-ja pas premtimeve të përsëritura të fillojë menjëherë negociatat për anëtarësim me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë, të cilat tashmë kanë statusin e kandidatit”, thuhet në reagimin e presidencës kroate.


