Lajme

Skender Hyseni: Kosova krahas dialogut me Serbinë, duhet të punojë për anëtarësimin në NATO

03/01/2022 13:04
nga:Genita C

Edhe pse Kosova ndodhet shumë larg nga zonat e konfliktit në Ukrainë, zhvillimet e fundit nga atje mund të kenë ndikim indirekt edhe në vendin tonë.

Kjo, për shkak që procesi i dialogut me Serbinë mund të zvarritet edhe më tej, nëse situata atje përkeqësohet.

Skënder Hyseni, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe ish-Koordinatori Shtetëror për Dialog me Serbinë, në një prononcim për GazetaBlic, shprehet se para pushtimit rus të Ukrainës, Kosova, në rrafshin ndëkombëtar, kishte dialogun me Serbinë, tani krahas dialogut prioritet paralel është anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO.

“Pas pushtimit rus në Ukrainë bota nuk është më ajo që ishte në rrafshin global gjeostrategjik. Sfidimi i paqës përmes pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e regjimit diktatorial dhe kleptokratik rus po tregon sa e brishtë është paqa në botë. Pasojat e këtij pushtimi po hetohen tashmë në gjithë botën në forma të ndryshme.
Por, këto zhvillime poashtu kanë unifikuar botën demokratike në përkrahje të popullit të Ukrainës dhe presidentit të saj Zelenski.
Dialogu në kërkim të paqes është në çdo rrethanë i nevojshëm. Dialogu me Serbinë dhe rrjedhimisht takimet Kurti-Vuçiq duhet të vazhdojnë në linjë me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së. Por derisa para pushtimit rus të Ukrainës, Kosova, në rrafshin ndëkombëtar, kishte dialogun me Serbinë, tani krahas dialogut prioritet parallel është anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO, si opcion i vetëm që garanton sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë, sidomos kur nuk është krejt e sigurt që Serbia do ta njoh Kosovën si shtet”, thotë Hyseni.

Hyseni shprehet se është e nevojshme që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sa më shpejt të krijojë një Task Force.

“Kurti duhet urgjentisht të krijojë një Task Force të veçantë të përbërë nga ekspertë dhe përfaqësuses të institucioneve e cila do të ketë si detyrë të vetme lobimin dhe koordinimin me SHBA-të për evitimin e të gjitha pengesat legale siç është mosnjohja nga 4 venede anëtare, dhe teknike për anëtarësim të përshpejtuar” ka thënë ish kryediplomati i Kosovës.

Në anën tjetër Skënder Hyseni thotë se në këto rrethana në të cilat gjendemi është e vështirë të arrihet ndonjë marrëveshje por këmbëngulja e Kosovës për dialog përsëri është në vend të parë.

“Vështirë të thuhet në këto rrethana nëse ndonjë marrëveshje është e mundshme. Por kjo nuk e benë më pak të rëndësihme kërkesën dhe këmbënguljen e Kosovës për dialog, sepse kështu Kosova krijon epërsi diplomatike duke demonstruar se është pala që kërkon paqe dhe stabilitet në rajon”

Sipas Hysenit politika e jashtme duhet të vihet sa më shpejt në lëvizje për anëtarësim në NATO.

“Kjo situate ndërron matematikat përgjithësisht, prandaj është e domosdoshme dhe vendimtare që politika e jashtme e Kosovës të vihet në lëvizje me urgjencë duke punuar fort dhe paralelisht në dialog dhe, edhe më e rëndësishme, për anëtarësim në NATO”, përfundon ish-kryenegociatori i Kosovës.

PSD me aksion tek Ministria e Bujqësisë, kanë një kërkesë për Qeverinë