Lajme

Haziri: Qeveria Kurti ta merrë seriozisht dialogun me Serbinë

02/23/2022 00:19
nga:Gazeta Blic

I dyti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se Qeveria Kurti e ka filluar me hezitime qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

Ai thotë se, Kosova duhet ta shfrytëzojë kohën e pritjes së zgjedhjeve në Serbi për aktivizimin e dialogut të brendshëm, të partive parlamentare dhe jashtë parlamentare, duke përfshirë edhe shoqërinë civile në mënyrë që Kosova të përgatitet sa më mirë.

Haziri ka shkruar në Facebook se Kosova është në një proces i cili kërkon përkushtim të madh dhe sipas tij, rreziku më i madh është mospërfshirja me seriozitet dhe lidership në këtë proces të dialogut.

“Jemi në një proces i cili kërkon përkushtim të madh dhe rreziku më i madh është që mos përfshirja me seriozitet dhe lidership në këtë proces të dialogut, sepse frika më e madhe është nga krizat rajonale dhe ato mund të kenë impakt shumë të madh në ngadalësim dhe ngulfatje të këtij procesi, i cili për ne është jetik, për shkak se integrimet euro-atlantike janë drejtim i vetëm për të cilin Kosova e sheh mundësinë politike që ta përfundojë shtet-ndërtimin për të qenë i barabartë me shtete tjera sovrane”, shkroi Haziri.

Ai tha se shumicë parlamentare e ka mbështetjen e opozitës sa i përket çështjes së dialogut, por sipas tij, kjo mbështetje nuk është pafund.

“Nuk mund të themi që e mbështesim hezitimin e mos besimin e tyre. Ne e mbështesim lidershipin e Qeverisë që të jetë këmbëngulëse, e qëndrueshme, kreative dhe të mos e kushtëzojë procesin e dialogut me çështje të cilat janë sekondare”.

Postimi i plotë:

Kjo Qeveri e ka filluar me hezitime qasjen ndaj dialogut me Serbinë. Faktikisht, as nuk po shkakton dialog, as nuk po ndërton ekipe apo mekanizma mbështetës e as nuk po kërkon që dialogu ta ketë formatin e një procesi i cili duhet të përmbyllet në një afat kohor.

Jemi në një proces i cili kërkon përkushtim të madh dhe rreziku më i madh është që mos përfshirja me seriozitet dhe lidership në këtë proces të dialogut, sepse frika më e madhe është nga krizat rajonale dhe ato mund të kenë impakt shumë të madh në ngadalësim dhe ngulfatje të këtij procesi, i cili për ne është jetik, për shkak se integrimet euro-atlantike janë drejtim i vetëm për të cilin Kosova e sheh mundësinë politike që ta përfundojë shtet-ndërtimin për të qenë i barabartë me shtete tjera sovrane.

Kjo shumicë parlamentare e ka mbështetjen e opozitës sa i përket çështjes së dialogut, por kjo mbështetje nuk është pafund. Nuk mund të themi që e mbështesim hezitimin e mos besimin e tyre. Ne e mbështesim lidershipin e Qeverisë që të jetë këmbëngulëse, e qëndrueshme, kreative dhe të mos e kushtëzojë procesin e dialogut me çështje të cilat janë sekondare.

Letra e Presidentit Biden, e konfirmuar nga Sekretari amerikan i shtetit, në Prishtinë duhet të merret seriozisht dhe pala jonë duhet t’i trajtojë seriozisht kërkesat e tyre, sikur që Serbia tashmë e di se marrëveshja përfundimtare është me njohje reciproke.

Por, krizat regjionale që janë prodhuar tash e që janë ndikim indirekt në Ballkanin Perëndimor mund ta rrezikojnë procesin seriozisht. Ne nuk guxojmë në asnjë mënyrë të rrezikohet procesi me këtë mbështetje amerikane dhe me ndërmjetësimin e BE-së që e kemi. Qeveria duhet të tregojë lidership dhe seriozitet, në mënyrë që të zbatojë obligimet që i ka, ta merr përsipër dialogun dhe agjendën, të shtyjë përpara këtë proces dhe, natyrisht, një konsensus sa më gjithëpërfshirës.

Kjo kohë e pritjes për zgjedhjet në Serbi duhet të shfrytëzohet me aktivizimin e dialogut të brendshëm, të partive parlamentare dhe jashtë parlamentare, duke përfshirë edhe shoqërinë civile në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë.