Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar që Kosova ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Ukrainë, ku Rusia i ka futur forcat e saj në dy rajone.
Hoxhaj tha se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret për të reaguar në këtë situatë.
“Në Ukrainë po vendoset sot dhunshëm e ardhmja e Evropës, dhe jo vetëm e Evropës, por edhe e Ballkanit. Ne natyrisht jemi një vend i vogël dhe kemi probleme të mëdha serioze edhe me energjetikën, edhe me çmimet të cilat janë rritë, por ne jetojmë në planetin e njëjtë dhe ne si deputetë nuk jemi jashtëtokësor. Jemi pjesë e kësaj bote. Prandaj kërkoj nga Kuvendi i Kosovës dhe nga Qeveria që ta mbështet sovranitetin, integritetin territorial në kufijtë ndërkombëtar të Ukrainës”, tha ai.
Hoxhaj fillimisht tha se Kuvendi duhet ta shqyrtojë edhe miratimin e një rezolute për këtë çështje, si hap i parë.
“Hapi i dytë është që Ukraina është fronti i parë, Ballkani është fronti i dytë dhe ne jemi vija e parë e këtij fronti të dytë në Ballkan dhe mendoj që Qeveria e Kosovës duhet ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Nuk e di nëse është mbledh”, tha deputeti i PDK-së.
Së treti, Hoxhaj kërkoi që nëse SHBA-ja dhe fuqitë tjera perëndimore vendosin sot sanksione kundër Rusisë, atyre t’u bashkohet edhe Kosova.