Besnik Tahiri i AAK-së është pyetur lidhur me Kodin Civil, ku parashihet të rregullohet me ligj të veçantë edhe çështja e martesave mes gjinisë së njëjtë.
Tahiri ka thënë se u befasua kur e pa agjendën e Kuvendit, për shkak se në mbledhjen kur është votuar Kodi, në mbledhjen e Komisionit kanë diskutuar për ta ftuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“U befasova kur e pashë në agjendën e Kuvendit, për shkak se në mbledhjen kur është votu Kodi, në mbledhjen e Komisionit kemi diskutu me e ftu ministren e Drejtësisë, për të marrë disa sqarime. Janë një varg nenesh që kishim dashtë sqarime shtesë nga Ministria. Nuk e kemi diskutu sepse nuk kam pritë që vjen në seancë, besoj se do t’ketë reagim edhe nga kolegët tjerë. Kodi Civil është jashtëzakonisht i rëndësishëm, do të duhet ta lexojmë e ta trajtojmë. Do të kemi një qëndrim të saktë, në parim si grup parlamentar mbështesim me e pasë një Kod Civil, por duhet ta trajtojmë”, ka thënë Besnik Tahiri.