Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi e ka publikuar Raportin e Indeksit Botëror të Lirisë Ekonomike të “Heritage Foundation”, në të cilin Kosova renditet në vendin e 86.
Sipas Krasniqit, ky rangim tregon se “raporti fundamental i një rendi demokratik ka filluar të lëkundet me hapa radikal nga Qeveria Kurti”.
“Nuk ka liri politike, pa liri ekonomike. Ky raport fundamental i një rendi demokratik për të cilin jemi përpjekur vazhdimisht, ka filluar të lëkundet me hapa radikal nga qeveria Kurti”, ka shkruar Krasniqi.
“Fatkeqësisht, Raporti i vitit 2022, Kosovën e nxjerr nga parametrat e lirisë ekonomike duke e zhvendosur në vendin e 86-të, pra plot 28 vende më keq, aty ku fillon të shënohet vija në mes demokracive dhe regjimeve politike. Dhe këtë, për vetëm një vit qeverisjeje të pa vizion e pa agjendë zhvillimore të qeverisë Kurti”, shtoi kryetari i PDK-së.
Krasniqi thotë se të rinjtë po e braktisin Kosovën për shkak të kësaj dhe se Qeveria Kurti “po e çon Kosovën një hap më tutje drejt mjerimit e pasigurisë sociale”.
Postimi i plotë:
Nuk ka liri politike, pa liri ekonomike. Ky raport fundamental i një rendi demokratik për të cilin jemi përpjekur vazhdimisht, ka filluar të lëkundet me hapa radikal nga qeveria Kurti.
Në vitin 2018, në vlerësimin e think-tankut të njohur e të respektuar ndërkombëtarisht me qendër në SHBA, Heritage Foundation, përkatësisht në Raportin e Indeksit Botëror të Lirisë Ekonomike, Republika e Kosovës rangohej në vendin e 56-të, duke lënë mbrapa shumë demokraci të zhvilluara, si Spanja, Sllovenia, Kroacia, Franca e të tjera.
Në vitin 2019, rangimi i Kosovës listohej në vendin e 51-të. Në vitin 2020, në vendin e 53-të, ndërsa në vitin 2021, në vendin e 58-të. Trendi i lëvizjes ishte dinamik, por ai nuk dilte jashtë parametrave të një shteti që krijonte klimë të mirëfilltë për ndërmarrësinë dhe lirinë ekonomike.
Fatkeqësisht, Raporti i vitit 2022, Kosovën e nxjerr nga parametrat e lirisë ekonomike duke e zhvendosur në vendin e 86-të, pra plot 28 vende më keq, aty ku fillon të shënohet vija në mes demokracive dhe regjimeve politike. Dhe këtë, për vetëm një vit qeverisjeje të pa vizion e pa agjendë zhvillimore të qeverisë Kurti.
Se cili është trendi i qeverisjes dhe cilësia e qeverisjes së Kosovës sot për sot, më së miri e ilustron kjo përmbysje rapide e statusit të lirisë ekonomike. Për më tepër, kur dihet se në këto raporte, nuk pasqyrohet vetëm liria ekonomike si entitet i veçantë por edhe korrelacioni me faktorë substancial si gjendja e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies, ambientit, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror, stagnimi i Kosovës bëhet edhe më i qartë.
Fatkeqësisht, për shkak të këtij stagnimi, të rinjtë tanë kanë filluar ta braktisin me të madhe Kosovën. Ky është sinjal alarmues për të gjithë ne, e do të duhej të ishte alarm 24 orësh për qeverinë Kurti, e cila për çdo ditë po e çon Kosovën një hap më tutje drejt mjerimit e pasigurisë sociale.