Lajme

EUROPOL godet grupin më të madh shqiptar të kokainës

02/15/2022 17:03
nga:Y I

EUROPOL e ka goditur grupin më të madh shqiptar të kokainës në Evropë.

Në pranga kanë rënë 45 persona, të cilët janë arrestuar në Spanjë dhe Belgjikë.

“Një operacion ndërkombëtar, me përfshirjen e autoriteteve të sundimit të rendit dhe ligjit në shtatë shtete, ka rezultuar me shpartallimin e njërit prej rrjeteve të trafikimit shqipfolës, më aktiv në Evropë. Sot, Eurojust dhe Europol mbështetën aksionet në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë të cilave u bastisën mbi 80 lokacione dhe 45 të dyshuar u arrestuan”, njofton EUROPOL.

Dyshohet se të arrestuarit kishin importuar kokainë nga Amerika Latine në disa vende në Evropë, duke organizuar transportin e drogës përmes avionëve, anijeve, makinave e kamionëve dhe kanë udhëhequr tregun e shitjes.

Spanja dhe shtetet e tjera të BE-së, sipas Europolit, janë përdorur si vende për të fshehur aktivitetin e tyre.

“Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë ka themeluar një sërë ndërmarrjesh në shtete të ndryshme për të pastruar paratë, përfshirë edhe në Kroaci dhe Spanjë. Pjesëtarët e këtij grupi shpesh kanë udhëtuar në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi, për të aranzhuar bizneset e tyre ilegale, duke përdorur komunikim të koduar për të koordinuar aktivitetet e tyre”, njofton EUROPOL.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë 600 policë nga Belgjika, Spanja, Kroacia, Gjermania, Italia, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka angazhuar zyrtarë të Byrosë Federale të Hetimeve, që njihet si FBI.

Operacioni ka nisur më 2018 dhe është një prej më të mëdhenjve që e kanë mbështetur Europoli dhe Eurojusti.