Skuadra e Gjilanit nuk e nisi mbarë sezonin e ri pranveror në Superligën e Kosovës, pasi barazoi me rezultatin 1:1 ndaj Drenicës në stadiumin “Bajram Aliu”, duke humbur kështu pozitën e liderit të futbollit vendor.
Ish futbollisti i njohur kosovar, Liridon Leci, tani analist, ka theksuar se skuadra e Gjilanit ka probleme me lojë dhe ka kritikuar çasjen e tyre në këtë ballafaqim.
Sipas Lecit, Gjilani duhet të këndellet nëse e duan titullin, pasi nëse vazhdon me paraqitje të tilla si ajo ndaj Drenicës, në fund do të mbesin edhe pa Evropë.
“Mënyra se si luan Drenica mua më pëlqen, një barazim i vështirë për Gjilanin që e morën me shumë mund. E shoh Gjilanin me shumë probleme në lojën e tyre, në zhvillimin e aksioneve, në dalje përpara, pas topit të tretë gjithmonë është obligative topi i gjatë, s’e kuptoj pse. E humbën vendin e parë, dolën në vendin e tretë. Duhet të këndellen nëse duan të dalin kampion, përndryshe do ta kenë shumë të vështirë të dalin edhe në Evropë”, tha Liridon Leci në emisionin Kampionët në Kanal10.
“Drenica ishte pa një lojtarë për 20 minuta, një ekip që synon kampionatin dhe nuk mundet ta mposht Drenicën me një lojtar më pak – unë s’di çka të them për ta. Ka organizim, super kryesi, super lojtarë, por lojë nuk kanë. Nuk po më pëlqen se si po luajnë, më shumë po më pëlqen Drenica e Ulpiana se si po luajnë, sesa Gjilani. Unë nuk kam asgjë me Gjilanin, por thjesht e them ata çfarë po e shoh. Po prodhojnë shumë pak në lojë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


