Lajme

Pekevski: Bujar Osmani më shumë interesohet për çështjen e Kosovës sesa të Maqedonisë

02/11/2022 19:09
nga:Gazeta Blic

Po zgjerohet lista e atyre që e akuzojnë kryediplomatin Bujar Osmani për qasjen e tij ndaj Bullgarisë, me argumentin se ai është shqiptarë, i huaj dhe më shumë interesohet për Kosovë e Shqipëri sesa për Maqedoninë e Veriut.

Nikollovskit e Millçinit iu është bashkëngjitur edhe analisti politik Sinisha Pekevski. Sipas këtij të fundit, MPJ Osmani më shumë kujdeset se a është pranuar në ndonjë konferencë ndërkombëtare Republika e Kosovës sesa të luftojë për qëndrimet maqedonase.

“Pikërisht mungesa e ndjenjës së shtetit si të tijën është arsyeja se pse nuk i ndjen provokimet që vijnë nga jashtë”, tha Pekevski për të përditshmen maqedonase “Nova Makedonija”.

Osmani së fundmi është në shënjestrën e ekstremit të djathtë në Maqedoninë e Veriut për shkakun se ka zgjedhur diplomacinë si qasje ndaj kontestit të shtetit me Bullgarinë dhe këtyre të fundit nuk u përgjigjet me gjuhë të ashpër politike.

Bujar Osmani është Ministri i parë shqiptarë në krye të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut është bllokuar nga vetoja bullgare në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Bullgarët kërkojnë nga Maqedonia e Veriut që këta të fundit të pranojnë se gjuha maqedonase ka prejardhje nga ajo bullgare.