Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj shkrimit të burrit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadiku, raporton Gazeta Blic.
Në reagimin e AGK-së, dënohet gjuha e përdorur nga Prindon Sadiku, ku mediat quhen si “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.
Shkrimi i Sadikut, cilësohet si shtim i pasigurisë së gazetarëve në Kosovë.
Reagimi i plotë nga AGK:
AGK-ja dënon sulmet e bashkëshortit të Presidentes Osmani ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë.
Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre.
#SafeJournalists