Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak Duda Balje ka reaguar për shpenzimet e naftës që ka bërë si deputetet e Kuvendit të Kosovës e që jeton në Prizren.
Ajo i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca duke i kërkuar një sqarim për rastin e saj, meqë sipas Baljes ka pasur qindra thirrje telefonike e po ashtu në rrugë i kanë thirrur emrin “naftë”.
Në mes të tjerash në këtë letër, ajo tregon se si djali i saj 13 vjeç ka pasur një diskutim në klasën e tij e ku Duda Bajlen e kanë quajtur “hajdute” të naftës.
Letra e plotë:
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës z.Glauk Konjufca,
Nga pozita në të cilën jeni, keni qenë të detyruar t’i drejtoheni publikut në emër të të gjithë deputetëve për shpenzimet e udhëtimit që rregullohen me Rregulloren e Kuvendit.
Pse nuk pate guximin te thuash të vërtetën, të pakten timen, nuk kam gënjyer për vendbanimin tim apo nëse kam makinë.
Për herë të parë që kur jam bërë deputete e këtij vendi, ndihem shumë keq, sepse në tre ditët e fundit kam pasur mbi 280 telefonata nga mediat, çdo qytetar tjetër që më kalonte në rrugë thoshte emrin “naftë” në forma e kontekste të ndryshme.
Dje, djali im 13-vjeçar pati një diskutim në klasë me miqtë e tij se si nëna e tij është një “hajdute”.
Edhe djalit tim i është vështirësuar të shkoj në shkollë, për shkak të komenteve të ndyshme në emrin tim. Paramendoni si ndihet fëmija im në këto moment!
Unë nuk jam hajdute dhe ti je kryetar i Kuvendit në të cilin punoj, thuaj të vërtetën, ose ndrysho rregulloren, merr një vendim tjetër për shpenzimet, hidhe në tryezë iniciativën e ligjit për deputetët.
Si kryetar i kuvendit ju takon të thuani të vërtetën e ti dilni në mbrojtje deputetëve të cilët nuk kanë vepruar asgjë kundër rregullores dhe ligjit.


