Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar që shefja e deputetëve të VV-së të kërkojë falje, për siç thotë ajo “shpifjen që e bëri” ndaj subjektit të saj politik.
Ajo tha se i vjen keq që Kusari-Lila e përfshiu Lidhjen Demokratike në grupin e partie që nuk i kanë dorëzuar komentet në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.
Ish-ministrja e Financave tha se mund ta dëshmojë se LDK-ja i ka dorëzuar komentet e saj në ZRRE, në zyrën e Kryeministrit dhe në zyrat e ministrave të Ekonomisë dhe Financave.
“Mua më vjen keq se zonja Kusari vetëm sa shpifi kur përfshiu LDK-në në grupin e partive që nuk kanë dorëzuar komentet në ZRRE. Mund ta dëshmoj se komentet e LDK kanë shkuar në zyrën e ZRRE-së, në ZKM, në ministrinë e Financave dhe në zyrën e ministrisë së Ekonomisë. Atëherë ju lutem kërkoni falje për shpifjen që ju bëtë. Propozimi ynë është që sot të ketë debat parlamentar ku fillimisht përfaqësuesit e Qeverisë do të na shpjegonin se kujt i është rritur energjia 12.5 cent dhe cila është kjo, a është tarifa e lartë apo e ulët. Sepse, pas dhënies së vendimit të Qeverisë për të subvencionuar energjinë prej 90 milionë euro, mbeten edhe 40 milionë tjera për të mbuluar”, tha ajo në Kuvendin e Kosovës.
“Tash del në media, që një kategorie e konsumatorëve që është ngritur cmimi 100 për qind. Ky është një vendim diskriminues që do të duhej të iu shqetësonte edhe juve edhe komplet GP të VV-së. Nëse vetëm TVSH-ja do të ulej për gjysëm ne nuk do të kishim ngritje të tarifave. Ta hapim debatin dhe vijmë me propozime konkrete që mos të jetësohet vendimi që për ne është diskriminues. Atëherë edhe një herë kërkoni falje pasi LDK-ja i ka dorëzuar komentet e veta, është tjetër që ju nuk i keni marrë parasysh”, deklaroi Bajrami.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se propozimi i LDK-së ka qenë që e gjithë ngritja e çmimit të energjisë të paguhet nga buxheti i shtetit.
“Propozimi juaj ka qenë që e gjithë ngritja të paguhet nga buxheti i shtetit. Ju bashkëngjitet thirrjes populliste për shkarkimin të bordit të ZRRE-së për arsye se kryen një obligim ligjor. Ne mund të diskutojmë për alternativat që mund të ofrojnë zgjidhje, sic ka ofruar Qeveria. Thirrje populliste është që të gjuhet e gjithë përgjegjësia e barrës së krizës aktuale te një parti në pushtet, e cila s’i ka një vit në pushtet, dhe tash krejt po kërkojmë që zgjidhje të bëjmë brenda asaj që juve ju nxjerrë mirë para qytetarëve. Për atë se kë dhe si është strukturuar dokumenti i zyrës së ZRRE-së, i ftojmë në komisionin për ekonomi që të bëjnë një zbërthim të mirëfilltë të strukturës së re tarifore”, tha Kusari-Lila.