Lajme

“E rëndë dhe kriminale”/ Meta: Nesër dorëzojmë padi! Kuvendi çoi në Kushtetuese dokumente false!

02/07/2022 21:12
nga:Gazeta Blic

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat pas daljes së përfaqësuesit të tij ligjor, Bledar Dervishaj tha se nesër do të dorëzojë padi, pasi Kuvendi çoi në Kushtetuese dokumente false.

Kreu i shtetit thekson se kemi të bëjmë me një falsifikim të shkresës nga Parlamenti, që sipas tij është një gjë e rëndë dhe kriminale.
Presidenti njoftoi se nesër në orën 09:00 do të publikojë përgjigjet e të 72 pyetjeve që i ka bërë Gjykata Kushtetuese dhe që i janë dërguar me shkrim nga ai.

“Nesër në orën 09:00 në faqen zyrtare të Presidentit do jenë të publikuara 72 pyetjet dhe përgjigjet. Do t’u përgjigjem disa prej tyre që besoj se kanë interes për ju.

Veprimtaria ime ka qenë e qartë për të gjithë palët. Nuk kam mbështetur asnjë subjekt në zgjedhje. Nesër ne do të dorëzojmë padi, pasi është gjë shumë e rëndë dhe kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit, Kuvendi të dorëzojë një provë gjoja të re, që është falsifikim për të justifikuar dhunimin e procedurave në këtë proces farsë që synon kapjen e institucionit të Presidentit”, tha Meta.

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj tha para Metës se Kuvendi falsifikoi datën e urdhrit për thirrjen e seancës plenare për të plotësuar afatet.

Dervishaj tha se Kuvendi shkeli në mënyrë flagrante ligjin, falsifikoi dokumentin për të plotësuar afatin 48 orësh që thotë rregullorja e Kuvendit se duhet plotësuar, për ta çuar në seancë plenare një vendimmarrje të komisioneve parlamentare.

Ai tregon se më 6 maj 2021 u firmos urdhri për thirrjen e seancës plenare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor. Që të thirrej në këtë datë duhet që raporti për këtë vendim të ishte miratuar 48 orë më parë, pra në datën 5 maj.

Sipas tij mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021.

Dervishaj i cili publikoi edhe dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim thotë se këtë urdhër që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022, janë bërë disa ndryshime në thelb.

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.
Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj.

Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.