Një 56-vjeçar ka vdekur dje si pasojë e neglizhencës së mjekëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan. Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka filluar hetimet. Rasti është iniciuar si hetim mbi vdekjen, teksa nga Policia e Kosovës kanë thënë për Express se 56-vjeçari vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
E trupi i pajetë i 56-vjecari është dërguar në obduksion.
“Hetim mbi vdekjen Prishtinë, 05 shkurt 2022 – Sot kemi pranuar informatën, për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në QKUK në Prishtinë. Bëhet fjalë për personin: M.G, mashkull, 56 vjeç nga rrethina e Lipjanit. Me të marrë informatën policia ka filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Megjithë dyshimet e ngritura, policia me kujdes të shtuar po heton rastin dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes, përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Një dëshmitar i rastit ka treguar për T7, se i ndjeri kishte probleme me zemër dhe afro një orë priti për tretman mjekësor, në QKMF-në në Lipjan.
“Ka kërku ndihmë rreth gjysmë ore, askush nuk e ka marrë parasysh. Dhimbje të mëdha ka pasur, vonë ka ardhë një mjek. Sa e kam dëgjuar ka pasur dhimbje të barkut, gjoksit, kishte pasur sulm, urgjent është dashur t’i bëhet një EKG”, rrëfen dëshmitari për T7.
E Zani thotë se doktori nuk ishte aty, pasi që sipas asaj që kishte dëgjuar nga infermierët aty, ai kishte dalë të kryente punët e veta gjatë orarit të punës.
“Sa e kuptova unë, mjeku kryesor i kësaj qendre nuk ka qenë aty, ka qenë duke kryer punë të veta private, çka po e di unë ku. Kjo ka qenë neglizhencë e mjekëve”, tha ai, për T7.
E pas afro një ore, një doktor i kishte dhëne ndihmë viktimës.
Por as atë nuk e kishte bërë të plotë pasi që sipas tij nuk punonte një paisje.
Por një gjë e tillë po mohohet nga drejtori i kësaj qendre. Ai thotë se pajisjet punojnë.
Agim Krasniqi mohon qe aty te këtë munguar ndonjë doktor.
Por ashtu sikur dëshmitari i parë, edhe asamblistit të kësaj komune Alban Salihut, qe reagoi ndër të parët për rastin, version të njëjtë i ka dhënë një dëshmitare.
Salihu shton se problemet në këtë qendër janë të mëdha edhe gjatë ditëve të tjera.