Lajme

Radoiçiq thotë se nuk ka të bëjë me akuzat për “Brezovicën”

02/05/2022 00:23
nga:Gazeta Blic

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, thotë se ai nuk ka të bëjë fare me akuzat lidhur me rastin “Brezovica” dhe se këtë “e dinë mirë edhe ata që e kanë urdhëruar këtë përndjekje politike, por edhe ata që e bëjnë atë”.

“Nëse dikush në ‘Kosovë e Metohi’, qoftë nga institucionet apo përfaqësuesit ndërkombëtarë, mendon se me akuza të tilla të rreme mund të më dëbojë nga Kosova përgjithmonë apo të më ndajë nga bashkëkombësit e mi dhe ta dobësojë luftën për Serbinë dhe serbët, gabon rëndë”, thuhet në deklaratën e Radoiçiqit, të publikuar nga Lista Serbe.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar të premten suspendimin nga puna për tre zyrtarë policorë, pasi ata dyshohet se kanë dështuar ta ndalonin në vendkalimin kufitar në Bërnjak në veri të Kosovës politikanin serb, Millan Radoiçiq, i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, ka konfirmuar se Radoiçiq është në kërkim, pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”.

“Radoiçiq dyshohet për ‘frikësim gjatë procedurës penale’, pasi i njëjti dyshohet për ndërhyrje në dëshmitarë. Ka tentuar t’i frikësojë që të mos dëshmojnë”, tha prokurori Maloku, për REL.

Më herët, IPK-ja ka njoftuar se mbrëmjen e 3 shkurtit, Radoiçiq ishte paraqitur në pikën kufitare në Bërnjak dhe se kishte rezultuar se është person në kërkim.

Pavarësisht kësaj, ai ka drejtuar veturën e tij mbrapa dhe është kthyer në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur te zyrtarët policorë në këtë vendkalim kufitar.

“Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ ”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

PK-ja bën të ditur se të tre zyrtarët policorë i takojnë Drejtorisë Rajonale Kufitare “Veriu” dhe se që të gjithë janë punonjës në vendkalimin kufitar në Bërnjak.

Policia e Kosovës njoftoi të premten se zyrtarët kufitarë e kanë ndaluar automjetin dhe kanë filluar procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të automjetit, si dhe personave në automjet.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitarë kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që ta parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi, gjatë parkimit me veturë, është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndër të tjera, në njoftim thuhet se zyrtarët policorë nuk kanë arritur ta ndalojnë automjetin.