Lajme

Abdixhiku: Arrestimi i Molliqajt ishte teatër politik

02/03/2022 21:14
nga:Y I

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka ripërsëritur qëndrimin e tij në lidhja me arrestimin e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqajt, të cilin e ka quajtur teatër politik.

Ndërkaq, Abdixhiku tha se nuk e arsyeton sjelljen e Molliqajt ndaj policit, por se komunikimi i duhur mes policisë së atij nuk do të sillte një situatë të tillë.

“E kam quajtur edhe teatër politik. Sepse, për ta bërë të qartë zëshëm, besoj që sulmi ndaj policisë nuk ka epilog tjetër përveç përgjigjes para organeve të rendit. Por, mënyra si mund të përgjigjen para organeve të rendit njerëzit me post politik, besoj që mund të bëhet ndryshe”, tha Abdixhiku.

Ai tutje shtoi se nëse kjo bëhet para studiove televizive pa ftesë paraprake, beson se është teatër politik.

“Nuk besoj që komunikimi i duhur do të sillte një situatë të tillë. Por, nuk dua të arsyetoj fare dhunën e ushtruar ndaj policit, i cili njëtrajtësisht përballet me rritjen e çmimit të energjisë elektrike që është brenga e tij dhe secilit tjetër”, tha Abdixhiku në “Debat Plus”.

Ai theksoi se ka ngre zërin edhe për deputetët e LVV-së kur arrestoheshin ata.

“Unë kam ngre zërin edhe shumë vite më parë kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ngriheshin zhag nëpër sheshet e Prishtinës. Mendoj që qasja ndaj njerëzve publik duhet të jetë pak më dinjetoze. Nuk kemi nevojë për teatër, por kemi nevojë për rregulla normale institucionale që besoj se njerëzit në fjalë duhet t’i përgjigjeshin. Duhet bërë dallim mes veprës dhe mënyrës si i trajtojmë këto vepra. Asnjë sulm nuk do të lejohet ndaj uniformave të shtetit, të tolerohet e trajtohet ndryshe”, .theksoi Abdixhiku.

Dardan Molliqaj lirohet nga paraburgimi