Lajme

​Masat në kalimin kufitar Kosovë-Shqipëri, bie numri i turistëve në mënyrë drastike

02/03/2022 15:16
nga:Y I

Ka rënë përreth 90 përqind numri i vizitorëve nga Shqipëria dhe dëme të mëdha financiare janë shkaktuar për të hyrat e shtetit dhe sektorin e turizmit nga masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, veçanërisht masa që çdo person i cili hyn në Kosovë të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit.

Heqjen e këtyre masave për kalimin kufitar Kosovë-Shqipëri e kanë kërkuar sot nga ministri i Shëndetësisë, dy unionet Unioni i Turizmit të Kosovës dhe Unioni i Turizmit të Shqipërisë.

Ani pse shëndeti mbetet prioritet, kryetari i Unionit të Turizmit Kosovar, Baki Hoti thekson për KP se masat e fundit kufitare duhet zbutur, pasi një gjë e tillë sipas tij ka reflektuar negativisht tek sektori i turizmit dhe për të hyrat buxhetore të shtetit.

Hoti thotë se për dy javët e fundit numri i vizitorëve ka rënë përreth 90 përqind.

“Vendimi i fundit ka shkaktuar shumë probleme sidomos tek pjesa e kalimit të kufirit. Vetëm gjatë dy vikendeve sa ishte në fuqi ky vendim ka pasur anulime të mëdha të grupeve për qëndrimet në Kosovë. Vendi ynë deri në një masë e ka të zhvilluar turizmin dimëror dhe të gjitha këto asete që i kemi mund të themi që kanë qenë diku 10 përqind të mbuluara me vizitorë, dhe 90 përqind kanë qenë të atakuar prej këtij vendimi që kanë pasur një mungesë të theksuar të vizitorëve… Ne kemi pritur që këtë sezon ta shfrytëzojmë dhe sa do pak këto biznese të ringjallen. Kjo ka shkaktuar një dëm financiar të cilin mund ta quaj milionësh, mjete këto të cilat do të derdheshin tek komuniteti që pastaj edhe në institucionet relevante me anë të tatimeve dhe TVSh-së dhe shteti do të ishte ai që do të përfitonte. Ky ishte shqetësimi ynë kryesor dhe qëllimi i këtij takimi”, u shpreh ai.

Rishikim të masave nga autoritetet e Kosovës ka kërkuar edhe kryetari i Unionit të Turizmit të Shqipërisë, Rrahman Kasa i cili thotë se ky sezon dimëror në Kosovë shfrytëzohet më së shumti nga qytetarët e Shqipërisë.

“Ne në Shqipëri e kemi turizmin sektor prioritar dhe çdo e ardhur që i mungon ekonomisë nga ky sektor prioritar, është një gropë financiare në ekonominë e vendit. Kështu që ne kërkuam që të rishikohen masat midis kufijve të dy vendeve sidomos për këtë periudhë e cila shfrytëzohet më së shumti nga qytetarët e Shqipërisë që vijnë në Kosovë për sezonin dimëror. Dhe na premtuan që do të bëjnë të pamundurën që të arrihet diçka sa më pozitive në interes të përbashkët”, thotë ai.

Kasa thotë për Kosovapress se në këtë kohë dëmi më i madh ekonomik është për Kosovën.

“Në një takim me ministrin e Shëndetësisë, kërkuam që të rishikohen masat pasi janë shumë drastike sidomos në kufirin Shqipëri-Kosovë… Të rishikohen këto masa, sepse shkëmbimet turistike ndihmojnë fuqishëm ekonominë e dy vendeve për sa i përket shkëmbimeve tregtare, po flasim në aspektin ekonomik… Nëse ne i referohemi këtyre dy jave, kur një turist në vikend që shpenzon 200 euro për një natë, janë para të cilat i mungojnë ekonomisë së birshtë të Kosovës dhe Shqipërisë si vende të vogla. Por, akoma më i madh është dëmi ekonomik për Kosovën sesa për Shqipërinë. Sepse dihet që nga Kosova në Republikën e Shqipërisë vijnë mbi 2 milionë turistë gjatë gjithë vitit”, thotë ai.

Kreu i Unionit të Turizmit Kosovar, Baki Hoti thekson po ashtu se në takimin që kanë pasur me drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kërkuar edhe lirim të masave sa i përket hapjes së gastronomisë dhe heqjen e orës policore në Kosovë.

Aktualisht Komiteti për menaxhimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike është duke mbajtur mbledhjen e saj për të rekomanduar masat e reja.

Masat e fundit antiCOVID të cilat janë marrë para dy javësh janë në fuqi deri më 4 shkurt.