Christian Erikseni ka thënë se mezi pret t’ia fillojë, pasi u rikthye në fushën e futbollit duke nënshkruar me klubin e Premierligës Brentford të hënën.
Brentfordi njoftoi të hënën herët se mesfushori danez Eriksen ka nënshkruar marrëveshje gjashtëmujore me klubin.
Ai do të luajë për Brentfordin deri në përfundim të sezonit 2021/22.
Erikseni nuk ka luajtur futboll që prej se e pësoi një arrest kardiak gjatë ndeshjes së Danimarkës kundër Finlandës në Kampionatin Evropian 2020 verën e kaluar.
Ai u rikthye në jetë nga stafi mjekësor në fushë përballë bashkëlojtarëve dhe mijëra tifozëve në Kopenhagë.
Mesfushori 29-vjeçar u largua nga Interi, me të cilin e fitoi titullin në Serie A sezonin e kaluar, duke e shkëputur marrëveshjen me pajtim dypalësh, pasi autoritetet mjekësore në Itali ia ndaluan atij të luajë në Serie A për shkak se e ka një defibrilator të vendosur në zemër.
Megjithatë, Premierliga nuk ka një ligj të tillë dhe Erikseni ka të drejtë të luajë me një aparat të tillë në zemër, raporton express.
Duke folur pasi iu bashkua Brentfordit, Erikseni tha: “Përshëndetje të gjithëve, jam Christian Erikseni. Ju njoftoj me kënaqësi se kam nënshkruar me Brentfordin.”
Ai shtoi: “Mezi pres t’ia filloj dhe shpresoj t’ju shoh shumë shpejt të gjithëve”.
Në të kaluarën, Erikseni ka thënë se zemra e tij nuk është pengesë që ai të luajë futboll.
Ai madje synon të luajë për Danimarkën në Kampionatin Botëror 2022, i cili do të mbahet në Katar në nëntor.


