Gjatë dy ditëve të fundjavës Zyra e Kryeministrit ka organizuar punëtori individuale për planifikim strategjik dhe operacional me kabinetet politike të katër ministrive: Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Ministrinë e Shëndetësisë; Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Në këto takime ministrat/et prezantuan arritjet dhe sfidat e ministrive të tyre gjatë vitit 2021, si dhe planet e tyre për vitin 2022 e më tej.
“Bashkëpunimi, komunikimi dhe bashkërendimi janë ndër vlerat kryesore që kjo qeveri i ka përbrendësuar qysh nga dita e parë e qeverisjes, dhe prej takimeve shteruese sikurse këto katër, po dëshmohet se janë bazament i duhur për planifikim dhe implementim të efektshëm të objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.
Zyra e Kryeministrit njofton se punëtoritë do të vazhdojnë edhe me ministritë e tjera.