Avokati Arianit Koci e ka cilësuar të dështuar menaxhimin e protestës të së shtunës nga Policia e Kosovës, në një opinion lidhur me rastin e sulmit të Dardan Molliqajt ndaj oficerit të Policisë së Kosovës .
Koci tha sot se Policia e Kosovës nuk i realizoi kompetencat e saj ligjore kur nuk veproi ndaj kreut të Partisë Socialdemokrate të shtunën.
Sipas avokatit, shteti dështoi kundër Molliqajt.
“Shteti e ka aparatin e dhunës në dorë. Duhet ta përdorë, kur e vlerëson që është e nevojshme. Në këtë rast, ka dështuar! Dështimi është edhe më i madh, kur e dijmë që Dardani është fytyrë publike-kryetar i një partie politike”, tha ai.
“A kishte ndodh ky tolerim, po të ishte në vend të Dardanit, ndonjë anonimus? A e dini, sa persona janë proceduar për pengim të personit zyrtar? Për sulm, as të mos flasim”, tha avokati.
Koci u shpreh se nuk e mirëkupton veprimin e Molliqajt, por u shpreh i gatshëm ta mbrojë atë në rast se ndiqet penalisht nga prokuroria.
“Por, me më thirrë – natyrisht, nëse procedohet kjo çështje, e kisha mbrojtë, në cilësinë e avokatit. Pa asnjë dilemë. Kështu funksionon drejtësia”, u shpreh Koci.
Dardan Molliqaj është ftuar për intervistim nga Policia e Kosovës. Ndaj kryetarit të PSD-së është hapur rast për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.
Policia e Kosovës ka hapur rast kundër Dardan Molliqajt në drejtim të veprës penale “sulm, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të rendit.
Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Policinë e Kosovës ka ftuar sot kryetarin e Partisë Socialdemokrate që në cilësinë e të dyshuarit të paraqitet për intervistim në stacionin policor në Prishtinë.