Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj, e ka quajtur zv.drejtorin e ri të RTK-së, Arsim Halili, si megafon të VV-së dhe homofob.
Kukaj ka përmendur rastin kur Arsim Halili, kishte shfaqur haptas shenja homofobie ndaj komunitetit LGBT.
Ai thotë se një person me deklarata të tilla homofobe në krye të një televizioni publik minon seriozisht garancitë që një institucion i tillë publik duhet t’i ketë lidhur me gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit të diskriminuar LGBTI.
Shkrimi i plotë nga Dren Kukaj:
MEGAFONI I VV-SË, HOMOFOBI ARSIM HALILI, NË KRYE TË RTK-SË
Arsim Halili qenka zgjedhë zëvendës drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Ky person tash e sa muaj për gati çdo ditë ka udhëhequr një fushatë denigruese ndaj NPB-së. Ai nuk ishte i vetëm. Ishte i sinkronizuar në plotëni me të gjithë ministrat, asambleistët e zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes që sot e kanë vendosur këtë ndërmarrje buzë falimentimit për shkak të veprimeve të jashtëligjshme që i kanë ndërmarrë kundrejt saj tash e sa muaj.
Gjithashtu ai ishte larguar nga RTK-ja për shkak të ofendimeve ndaj komunitetit LGBTI meqë kishte deklaruar si në vijim:
“Si qytetar i këtij vendi që mëton me shpërthy izolimin shumëvjeçar, i kam tri pyetje koncize:
A është edhe LGBT, kusht për liberalizimin e vizave?
Ky kusht a plotësohet me sapun, a pa sapun?
Edhe e treta, për liberalizim vizash, a ma mirë me sakrifiku me demarkacion a me thobë?!”
Zgjedhja e një personi që me kaq zell i shërbeu Vetëvendosjes cenon rëndë pavarësinë e një institucioni publik si RTK-ja. Vendosja e tij aty është në shërbim të kapjes së RTK-së.
Për më shumë një person me deklarata të tilla homofobe në krye të një televizioni publik minon seriozisht garancitë që një institucion i tillë publik duhet t’i ketë lidhur me gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit të diskriminuar LGBTI.