Lajme

Gjendja shëndetësore e grave shtatzëna të infektuara me COVID-19- Flet drejtori i Gjinekologjisë

01/27/2022 12:49
nga:Y I

Ditëve të fundit ka një rritje alarmante të rasteve me COVID-19 në Kosovë, ku dominues është varianti Omicron.

Njëra ndër kategoritë që mund të konsiderohet më e rrezikuar nga ky virus, janë edhe gratë shtatzëna.

Në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë të shtrira aktualisht gjashtë shtatzëna me COVID-19.

Kështu ka thënë drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismaili.

Ai thotë se që nga fillimi i vitit, 32 shtatzëna kanë qenë të infektuara me COVID-19, ku sipas tij shumica nga to kanë qenë të pa vaksinuara.

“Gjendja në Klinikën e Gjinekologjisë me COVID -19 është stabile në mëngjes i kemi pasur 13 paciente me COVID-19, shtatë nga to i kemi liruar pasi kanë qenë në gjendje të mirë, disa prej tyre kanë lindur disa prej shtatzënave janë në fazën e hershme të shtatzënisë. Kanë mbetur edhe gjashtë paciente njëra prej tyre është duke qëndruar për shkak të foshnjës, ndërsa pesë prej tyre janë shtatzëna, aktualisht nuk e kemi asnjë problem kanë një kondicion të mirë shëndetësor. Nga vala e fundit nga 17 janari me COVID-19 kanë qenë 32 pacientë të hospitalizuara me COVID-19, 26 prej tyre kanë qenë të pa vaksinuara dhe një paciente ka qenë më tri doza, kurse tjerat me nga një dozë shumica e pacientëve që kanë qenë të hospitalizuara kanë qenë të pa vaksinuara”, thotë ai.

Sipas Ismailit, të gjitha shtatzënat janë në gjendje të mirë, dhe me simptoma të lehta.

“Deri më tani nuk kemi pasur asnjë komplikim asnjë nga asnjë shtatzënë e cila ka qenë e rrezikuar për ta humbur jetën. Simptomat më të shpeshta kanë qenë me temperaturë, kok dhimbje, dhimbje të nyejve, rrjedhje hundësh, dhimbje fyti, kanë qenë simptoma të lehta”, thotë ai.

Isamili thotë se vetëm gjatë viti 2021 kanë lindur 8 mijë e 773 foshnje në këtë klinikë.

“Gjatë vitit 2021 kemi pasur 8 mijë 773 lindje ku nda to kemi pasur treneq, katërneq dhe binjak. Por, gjinia mashkullore është duke dominuar më shumë”, thotë Isamili për arbresh.info

Ndryshe, në total numri i rasteve aktive në Kosovë është 21.668.

Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.754.334 doza të vaksinës.

Për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus, Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat anti-COVID-19, ku pas orës 22:00 në të gjithë vendin vlen ora policore.