Lajme

Krasniqi: Jemi bërë vatër e rrezikshme e virusit Covid-19, sepse qeveria Kurti nuk e ka hallin tek qytetarët, por vetëm tek qëndrimi në pushtet!

01/27/2022 12:19
nga:Gazeta Blic

Deputetja e Kuvendit të Repbulikës së Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniq, në seancën e jashtëzakonshme për gjendjen e pandemiës, ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës nga Qeveria Kurti.

Sipas deputetës Krasniqi, Kosova është bërë vatër e rrezikshme e virusit pasi që siç tha ajo, qeveria Kurti nuk e ka hallin tek shëndeti i qytetarëve.

Jemi bërë vatër e rrezikshme e këtij virusi, sepse qeveria Kurti nuk e ka hallin tek shëndeti i qytetarëve. Në të vërtetë, kjo qeveri hallin nuk e ka as tek mirëqenien e tyre sepse jemi dëshmitar të asaj çfarë ka ndodhur në javët e fundit me ngritjen e çmimeve të produkteve bazike për jetesë e tash, së voni edhe me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Halli i tyre duket se është vetëm qëndrimi në pushtet, sepse për asgjë tjetër nuk janë dëshmuar deri më tani.

Kësisoj, kjo qeveri e vetquajtur si “qeveri e shpresës” është bërë armiku më i madh i qytetarëve, sepse në vend se t’i mbrojë ata përmes veprimeve konkrete dhe një plani efikas të menaxhimit sot kemi ardhë në një pikë mjaftë të rënduar ku është vendosur në rrezik të madh shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve“, tha Krasniqi.

Deputetja Krasniqi, tha se spitalet në vend janë të stëarngarkuara dhe ka mungesë të madhe të barnave esenciale çka, sipas saj e vështirëson edhe më tepër situatën e krijuar pas përhapjes së jashtëzakonshme të këtij virusi, për siç u shpreh ajo “nga pa-aftësia e qeverisë për të menaxhuar situatën me pandeminë.”

Ajo ka kritikuar qeverinë edhe për procesin e vaksinimit të qytetarëve, i cili sipas saj është përcjellur me shumë parregullësi.

Potenciali për t’u infektuar për qytetarët që kanë shkuar për t’u vaksionuar ka qenë më i madh se sa mundësia për imunizimin e tyre, sepse edhe mënyra siç është menaxhuar ai proces ka nxjerrur në sipërfaqe pa-aftësinë e kësaj qeverie. Ngjashëm edhe sot shohim imazhet e qytetarëve në media ku rrezikohen nga infektimi me këtë virus në pritje për testim.

Duke mos qenë të aftë për të organizuar në mënyrë të duhur shpërndarjen e vaksinave kjo qeveri ka hedhur në shportat e mbeturinave mbi 133 mijë doza të vaksinave Astra-Zeneka në shtator të vitit të kaluar pasi që iu kishte skaduar afati i përdorimit. Një histori e ngjashme rrezikon të përsëritet sërish edhe në situatën më kritike kur ndodhemi tani, sepse kemi një qeveri të papërgjegjshme e cila nuk po arrin të bind qytetarët për t’u vaksionuar tani edhe me dozën e tretë“, deklaroi Krasniqi.

Deputetja Krasniqi, kritika pati edhe për mënyrën se si u zhvillua procesi mësimor.

Ajo çfarë po ndodhë me procesin mësimor është përtej çdo logjike. Brenda një shkolle ka raste kur disa klasë zhvillojnë mësimin në mënyrë elektronike dhe pa një platformë të veçantë të përgatitur nga qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit, derisa klasët tjera viijojnë mësimin fizikisht. Kjo situatë është po ashtu edhe mjaftë çorjentuese për fëmijët dhe për vetë prindërit“, tha ajo.

Krasniqi ka kundërshtuar edhe masat e fundit kufizuese të qeverisë, të cilat sipas saj po japin efekte negative në ekonominë e vendit.

Me mbylljen e gastronomisë nga ora 21:00, shumë qytetarë mund të mbesin pa punë, pastaj një kontraditë e këtyre masave është edhe mbyllja e fitneseve ku numri i personave që shkojnë aty është dukshëm më i vogël në krahasim me fluksin e qytetarëve që shkojnë në qendra tregtare të cilat mbesin të hapura. Është e pa logjikshme që kufizimi i lëvizjes për qytetarët të ndodh nga ora 21:00“, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme nga ora 11:00 për gjendjen e pandemisë Covid-19.