Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se po diskutonte një vizitë nga homologu i tij izraelit Isaac Herzog muajin e ardhshëm, duke thënë se “një epokë e re” e marrëdhënieve mund të fillojë midis dy vendeve.
Në një intervistë me transmetuesin privat NTV të mërkurën vonë, Erdogan tha se Herzog do ta vizitonte në gjysmën e parë të shkurtit.
Lidhjet midis Turqisë dhe Izraelit, dikur aleatë të ngushtë rajonalë, janë rrënuar nën drejtimin e Erdoganit, i cili është një kritik i hapur i politikave të Izraelit ndaj palestinezëve.
Vendet i tërhoqën ambasadorët e tyre në vitin 2010 pasi forcat izraelite sulmuan një flotë anijesh të vogla me destinacion Gazan, që transportonte ndihma humanitare për palestinezët. Incidenti rezultoi në vdekjen e nëntë aktivistëve turq.
Marrëdhëniet u prishën përsëri në vitin 2018, pasi Turqia, e zemëruar nga zhvendosja e ambasadës së saj në Jerusalem nga SHBA, tërhoqi edhe një herë ambasadorin e saj nga Izraeli, duke bërë që Izraeli të tërheqë gjithashtu të dërguarin e saj, shkruan Apnews, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti turk dhe ai izraelit kanë biseduar me telefon pasi Herzog mori detyrën.
Hapat drejt një afrimi vijnë pasi Turqia është përpjekur t’i japë fund izolimit të saj ndërkombëtar duke normalizuar lidhjet e trazuara me disa vende të rajonit, duke përfshirë Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.


