Sporti

Zbulohen prapaskenat, Neymar ishte pranë transferimit tek Barcelona në vitin 2019

01/26/2022 14:08
nga:Mergim Rreci

Dokumentari për jetën e Neymar, i titulluar ‘The Perfect Chaos’, u shfaq premierë në Netflix dhe tregon prapaskenat e jetës së asit brazilian, me momente ekskluzive të rrugëtimit të lojtarit gjatë gjithë karrierës së tij.

Një nga skenat e paraqitura i referohet qëllimit të Neymar për t’u larguar nga PSG për t’u kthyer në Barcelonë në verën e vitit 2019, përcjell GazetaBlic Sport.

“Kur mora vendimin të largohesha nga PSG, nuk ishte për shkak të një tifozi apo klubi. Ishte sepse ndjeva se do të isha më mirë diku tjetër. Unë kurrë nuk kam pasur asgjë kundër tifozëve të PSG-së, as kundër vetë klubit. Nuk ka qenë kurrë kështu, përkundrazi. I jam shumë mirënjohës, jemi në të njëjtën anë dhe mbrojmë të njëjtën fanellë. Unë jam këtu për të ndihmuar”, ka nënvizuar Neymar gjatë një prej episodeve të serialit, duke treguar se qëllimi i tij për t’u rikthyer te Blaugrana ishte i qartë.

Babai dhe menaxheri i lojtarit gjithashtu shfaqet pas këtyre deklaratave për t’u siguruar që lojtari u përpoq të kthehej në Barcelonë “në mënyrë miqësore”, por që ato synime u përplasën me interesat e klubit parizian. Lojtari brazilian pranon se, pavarësisht dëshirës për t’u larguar, ai gjithmonë është përpjekur të mbetet profesionist.

“Edhe pse nuk doja të vazhdoja, më duhej të stërvitesha dhe të përgatitesha. Sepse nëse luaj keq, të gjithë do të më fajësojnë mua. Nëse humbasim, unë jam përgjegjës kryesor. E di barrën dhe përgjegjësinë që kam”, ka shpjeguar ai.

Kujtohet se rikthimi i Neymar në Katalonjë ishte një proces që po ecte mirë në verën e 2019, me Barcelonën që paraqiti një propozim prej 110 milionësh, plus kalimin  e Todibo, Rakitic dhe Dembélé, një ofertë që përfundimisht do të refuzohej nga francezët. .

Lojtari, kujtojmë, u transferua në Paris në verën e vitit 2017, në këmbim të 222 milionë eurove, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në histori. Në total, Neymar ka luajtur tashmë 130 ndeshje për PSG-në, duke shënuar 90 gola dhe 71 asistime.

/GazetaBlic Sport/