Lajme

Nënkryetari i PDK-së: Jam për shkëmbim të territoreve

01/25/2022 23:03
nga:Gazeta Blic

Nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja ka thënë se para një Asociacioni të komunave serbe me përgjegjësi ekzekutive është për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

Nënkryetari i PDK-së sqaroi qëndrimin e tij rreth kësaj teme që sipas tij e kishte përmendur edhe në vitin 2001.

“Tri komunat e veriut nëse do të kenë kompetenca ekzekutive, Kosovën kurrë nuk do ta lënë të qetë. Është telashja e kufirit pasi që Cagllavica, Gracanica e këto tjera nuk përbëjnë rrezik. Mundësia e lidhjes së tyre fizikisht me Serbinë është telashe jo e vogël”, tha Buja në ATV.

“Unë në vitin 2001 e kam shtruar çështjen e shkëmbimit të territorit, ku edhe atëherë ka patur reagime dhe këtë temë e kam biseduar edhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit Amerikan”, tha ish ministri.

“Para Asociacionit me kompetenca ekzekutive jam për shkëmbim territoresh, që Lugina t’i bashkohet Kosovës dhe Veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë”, tha ndër të tjerash Ramë Buja.