Lajme

“Të gjitha sfidat mund t’i përballojmë bashkërisht”, Konjufca takohet me deputetët e Shqipërisë

01/25/2022 17:45
nga:Q R

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka pritur në takim anëtarët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë.

Konjufca me këtë rast tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë jo vetëm i domosdoshëm, por ka sjellë edhe rezultate historike për kombin.

“Ne të gjitha sfidat i kemi kaluar së bashku gjatë historisë dhe fakti që gjendemi këtu, i kemi dy shtetet tona, është edhe për arsye se kemi vepruar gjithnjë në të njëjtin drejtim sipas një strategjie të përbashkët”, tha kryetari i Kuvendit, duke nënvizuar se Kosova dhe Shqipëria de jure janë dy shtete, por de fakto duhet të veprojnë bashkërisht.

Në anën tjetër edhe kryetari i Komisionit për Siguri Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Nasip Naço, shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Ne jemi të gatshëm gjithnjë për një bashkëpunim të ndërsjellë, për të shkëmbyer mendime dhe informacione mes dy parlamenteve. Sigurisht që sfidat tona janë edhe më të mëdha dhe duke u takuar dhe shkëmbyer informacione besoj se do veprojmë njëlloj për t’i përballuar ato”, tha ndër të tjera Naço.

Në këtë takim pjesëmarrëse ishte edhe nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu.

Në takim kanë folur edhe anëtarët tjerë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe të Komisionit për Siguri Kombëtare të Shqipërisë, të cilët u pajtuan që të thellohet bashkëpunimi në mes këtyre dy komisioneve.

Dëshmitari në rastin e Mustafës: Anëtarët e BIA-s flitej që janë hajdutë