Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.
Pas shqyrtimit është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike.
Disa nga masat kryesore të miratuara që hyjnë në fuqi nesër, me 22 janar 2020 dhe vlejnë deri më 4 shkurt 2022:
Me masat e reja kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, ndërkaq shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00.
Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;
Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;
Ndërkaq, kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.
Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në pesëdhjetë (50%) e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në shtatëdhjetë (70%) e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00, ndërkaq mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive.