Shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviq ka deklaruar se “nuk përjashton aksionet e reja të njëanshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës”.
Por, siç tha ai, ndaj veprimeve të tilla ”do të reagojë edhe ushtria serbe”.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që Forcat e Sigurisë së Kosovës të angazhohen në mënyrë të njëanshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa pika politike në terren, por kërkesa jonë, insistimi dhe disa gjëra të tjera do të jenë në funksion të sigurimit, jo vetëm për paqen por edhe për gjendjen e sigurisë që garanton që populli ynë në Kosovë të mund të jetojë dhe të ushtrojë të drejtat e veta si të gjithë qytetarët e këtij vendi”, ka pretenduar gjenerali serb pas analizimit të situatës dhe aftësive të Forcave të Armatosura vitin e kaluar.
Ai ka përsëritur se “sipas Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes Ushtarake Teknike të Kumanovës, njësitë e KFOR-it janë të vetmet forca ligjore në Kosovë”.
“Ne këmbëngulim që marrëdhëniet e tyre me subjektet e tjera të sigurisë që nuk njihen në dokumentet tona si bartës të ndonjë funksioni të sigurisë, të jenë të paanshme dhe në frymën e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të zbatohen jo vetëm për Policinë e Kosovës por edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me ndalimin e kalimit në veri të Kosovës, pa pëlqimin e veçantë të komandantit të KFOR-it”, ka thënë Mojsilloviq.
“Në rastet kur ndodh që forcat e Kosovës me pëlqimin ose pa pëlqimin e KFOR-it të lëvizin në veri të “krahinës jugore” ushtria serbe do të ndërmerr detyrat në përputhje me rrethanat”, ka kërcënuar shefi i ushtrisë serbe.


