Turizem

A jeni të lidhur me një obsesiv?

01/20/2022 18:15
nga:Donika Fetahu

Jeni në një lidhje me dikë që po ju mbulon me shumë vëmendje, ndjen një tërheqje të madhe ndaj jush, por i kalon kufijtë? Ju jeni duke dalë me një të dashur obsesiv.

Ideja për t’u dashuruar nga një person që nuk mund të ndalojë së menduari për ju dhe që bën gjithçka që është e mundur për t’ju bërë të ndiheni të veçantë duket joshëse. Megjithatë, mund të jetë shenjë e një të dashuri obsesiv dhe nëse nuk arrini t’i dalloni shenjat fillestare, mund të keni një lidhje mbytëse apo edhe të rrezikshme përpara.

Nëse personi i veçantë i zemrës suaj po ju dërgon mesazhe dashurie pothuajse çdo dhjetë minuta apo po ju mbulon me vëmendje të tepruar deri në atë pikë sa ai/ajo dëshiron të dijë fjalë për fjalë gjithçka për ju, nga sa ujë pini në ditë deri në sa pushime keni marrë gjatë punës, atëherë duhet të ecni përpara me kujdes.

Çrregullimi obsesiv është një gjendje kur fiksohesh pas personit që ke dashuruar dhe ndjen nevojën për të kontrolluar apo mbrojtur partnerin me çdo kusht.

Një i dashur obsesiv ndjen një tërheqje të madhe ndaj një personi dhe dëshiron të kontrollojë sjelljen e partnerit të tij/saj deri në atë masë sa që nëse personi nuk është rehat ose përpiqet të largohet nga një marrëdhënie, ai mund ta kërcënojë ose ta dëmtojë atë. Njerëz të tillë bëjnë kërkesa të paarsyeshme dhe nuk respektojnë kufijtë e vendosur nga personi tjetër.

Shenjat e një të dashuri obsesiv

* Një tërheqje jashtëzakonisht e madhe për ju

* Sjellje zotëruese dhe kontrolluese ndaj jush

* Kërcënimi me pasoja nëse përpiqeni të largoheni nga marrëdhënia

* Kapërcimi i kufijve personalë të vendosur nga ju

* Ndjenja e “pronësisë” ndaj jush. Ndjehen jashtëzakonisht xheloz nëse ndërveproni me njerëz të tjerë.

* Të ketë ndjenja jashtëzakonisht të forta ndaj jush edhe pa kaluar shumë kohë me ju.

* Shpejt rrëshqet në depresion nëse ndjenjat nuk janë reciproke.