26-vjeçari E.Mekaj është i riu që vdiq sot si pasojë e plagëve të marra nga përleshja me thika që ndodhi në Pejë.
Ngjarja ndodhi sot rreth orës 14:45 në lagjen Fidanishte në Pejë. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka njoftuar se nga kjo përleshje i lënduar ka mbetur edhe një person.
“Si pasojë fillimisht dy personat e përfshirë në këtë përleshje janë dërguar për trajtim në spital. Si pasojë e plagëve të marra mjeku kujdestar ka konfirmuar se njëri prej tyre ka ndërruar jetë”, tha ai.
Ndërkohë që zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi, ka njoftuar se policia tashmë ka arrestuar dy persona të dyshuar për këtë rast.
“Si pasojë e një përleshje në Pejë, një person ka humbur jetën nga lëndimet e marra, dy persona janë arrestuar, njëri i dyshuar për veprën penale vrasja: e tjetri për veprën penale ‘lëndim trupor’”, tha ai.
Tutje Nikqi ka shtuar se në këtë rast ka pësuar lëndime trupore edhe i dyshuari për veprën penale “vrasja”.
Ai tha se pas intervistimit, të dyshuarit do të ndalohen për 48-orë, me urdhër të prokurorit të shtetit.
Deri më tani Policia dhe Prokuroria nuk kanë treguar nëse dihen motivet që dërguan deri te vrasja.