Ish-kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Kaçanikut, Jeton Raka, është punësuar si drejtor të Prokurimit nga kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.
Përderisa sipas një dokumenti të siguruar nga Paparaci, shihet se Raka tashmë është stabilizuar në këtë drejtori, ky emërim ende nuk është bërë publik nga kryetari Aliu.
Po ashtu në lidhje me pozitën e re, ka hezituar të flas vet Raka, i cili e mbylli telefonin në momentin kur u përmend kjo çështje.
Ish-kandidati i VV-së, i cili u mposht nga Besim Ilazi i PDK-së në garën për të parin e Kaçanikut, jeton në fshatin Bob të kësaj komune.
Sipas profilit të publikuar në faqen e VV-së, thuhet se Raka ka përvojë disa vjeçare të punës në prokurim publik, në kompani vendore dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu gjatë ditës së djeshme, Aliu nuk u prononcua përkundër insistimit të Paparacit duke theksuar se gjatë javës së ardhshme do t’i bëjnë publike të gjitha emërimet.
“Nuk mund të prononcohem për këtë, pasi ne do të dalim në konferencë për media për ta bërë publike gjithë kabinetin. Këtë besoj së do ta bëjmë javën e ardhshme”, tha ai për Paparacin.
Dega e PDK-së në Shtime është shprehur e indinjuar që Aliu ka përzgjedhur një person nga një komunë tjetër për të udhëhequr këtë drejtori. Kjo parti përmes një reagimi ka thënë se Shtimja “ka njerëz mjaft të kualifikuar për t’i dal zot kësaj pune”.


