Lajme

Ish-ministri në “Qeveria Thaçi II” mbështet vendimin e Kurtit për energjinë

01/18/2022 21:27
nga:Gazeta Blic

Ish-ministri i Energjisë, Fadil Ismajli, po e sheh rikthimin e vendosjes së bllok tarifave si vendim të duhur, pasi siç thotë ai vetëm kushte mund të kursehet energjia elektrike.

Sipas tij, sektori i energjisë në Kosovë funksionon më së miri me vendosjen e blloktarifave.

“Kthimi i blloktarifave është i vonuar. Heqja e blloktarifave në vitin 2017 është gabim i madh që është bërë. Struktura energjisë e Kosovës më së miri funksionon në vendosjen e blloktarifave”, tha ai në Debat Plus.

Ismajli thotë se Kosova ka çmimin më të ultë të energjisë elektrike në rajon, prandaj ai thekson se rritja e çmimit është e nevojshme.

“Kosova e ka çmimin për kilovat e ka më të ulëtën në rajon. Duke i mbajt tarifat e ulta, u kemi dhënë mundësi konsumatorëve që edhe ngrohjen ta zgjidhin përmes energjisë elektrike. Rritja e tarifave është dashur të ndodhte edhe më herët pasi është çmim artificial i ultë. Por nëse rritja do të ndodhte gradualisht, do të ishte më praktike pasi edhe qytetarët do të gjenin zgjidhje, por rritja është e nevojshme”, u shpreh ai.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 40 për qind.

Propozimi për rikthimin e sistemit të blloktarifave godet në mënyrë direkte shumicën e konsumatorëve kosovarë.