Lajme

Krasniqi thotë se vendimi për përjashtimin e asambleistëve ishte kundër statusit të LDK

01/15/2022 18:26
nga:Gazeta Blic

Nënkryetarja e LDK-së dega në Vushtrri Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të mbrëmshëm të kësaj partie për largimin e tre asambleistëve.

Krasniqi, duke e quajtur vendim kundër statutar të LDK-së, ka thënë se për vendime të tilla do duhej të ishte ftuar e gjithë kryesia.

“Vendimi i mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së degës për përjashtimin e tre anëtarëve/asamblistëve tanë nuk është në pajtim me Statutin e LDK-së dhe si i tillë cenon rëndë rregullativen juridike mbi bazën e së cilës funksionojmë si subjekt politik si dhe demokracinë tonë të brendshme në parti”, tha Krasniqi.

Sipas saj për përjashtimin e anëtarëve të LDK-së mund të vendos Komisioni Disiplinor i Kryesisë Qëndrore të LDK-së dhe vetëm pas argumentimit të shkeljeve disiplinore nga cilido anëtar dhe shterrjes së debatit brenda sturkturave të partisë.

Më poshtë reagimi i plotë:

Të nderuar anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të LDK-së,

Mbrëmë vonë, dega e LDK-së në Vushtrri, ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku unë si nënkryetare e degës dhe anëtarë tjerë të kryesisë nuk jemi ftuar fare.

Në mbledhje duhet të ftohen të gjithë anëtarët e kryesisë, pa dallim. Secili është i barabartë dhe secili ka të drejtë vote. Rrjedhimisht, mos thirrja e anëtarëve në mbledhje të kryesisë përbën shkelje statutare. Andaj, kjo formë e thirrjes së mbledhjes është e pa pranueshme dhe brengosëse sepse instalon praktika që dëmtojnë rëndë imazhin e degës tonë.

Vendimi i mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së degës për përjashtimin e tre anëtarëve/asamblistëve tanë nuk është në pajtim me Statutin e LDK-së dhe si i tillë cenon rëndë rregullativen juridike mbi bazën e së cilës funksionojmë si subjekt politik si dhe demokracinë tonë të brendshme në parti.

Mbledhja e mbrëmshme është mbajtur pa praninë e shumicës së anëtarëve të kryesisë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur kourum për marrjen e ndonjë vendimi.

Lidhur me përjashtimin e anëtarëve të LDK-së mund të vendos Komisioni Disiplinor i Kryesisë Qëndrore të LDK-së dhe vetëm pas argumentimit të shkeljeve disiplinore nga cilido anëtar dhe shterrjes së debatit brenda sturkturave të partisë.

Në LDK nuk kemi njerëz për të humbur, prandaj kundërshtoj çdo tentativë të tillë, e sidomos kur ajo ngritet në nivel strukture ku unë bëjë pjesë.

Prandaj, nuk mund ta respektoj asnjë vendim të degës së LDK-së në Vushtrri, ku unë mbaj pozitën e nënkryetarës, e ku i njëjti është në kundërshtim me Statutin e LDK-së.

Jam pro çdo vendimi që kërkon përgjegjësi ndaj çdo anëtari që sillet në kundërshtim me qëndrimet e LDK-së, por një vendimi të tillë duhet ti paraprijë një mori debatesh e analizash para se të ndërmarrim veprime konkrete që mund ta dëmtojnë rëndë imazhin e partisë tonë.

Vendimet duhet ti marrim si ekip (shumicë), pas debatave dhe vetëm në të mirë dhe avancim të subjektit që përfaqësojmë.

Kishte me qenë e rrugës që bashkërisht të ulemi e të bisedojmë për rezultatin e fundit, përgjegjesit kryesor të humbjes tonë në Vushtrri dhe asesi të ndërmarrim iniciativa në kundërshtim me Statutin e LDK-së.

Rezarta Krasniqi,
Deputete e LDK-së dhe Nënkryetare e degës së LDK-së në Vushtrri