Ndryshime të mëdha të zyrtarëve kanë ndodhur ditëve të fundit brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), që udhëhiqet nga zv.kryeministrja, Donika Gërvalla, raporton Gazeta Blic.
Shumë zyrtarë të Ministrisë, ose janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqje
Gazeta Blic, ka marrë informata të sigurta brenda MPJD-së, për shkarkimet dhe dorëheqjet që janë bërë ditëve të fundit.
Me vendim të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i është hequr vendimi si drejtor i Departamentit për Marrëdhënie Dypalëshe, Korab Mushkolajt.
Një vendim i tillë është marrë edhe për dy zyrtarët tjerë në MPJD: Visar Fetaj dhe Visar Rrecaj.
Visar Rrecaj sipas faqes së ministrisë, mbante pozitën si drejtor i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Traktate.
Ndërsa, Visar Fetaj udhëhiqte me drejtorinë e Departamentit për Europë dhe Bashkim Europian.
Zana Rudi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e ambasadores së Republikës së Kosovës në Panama.
Ndërsa, Artan Behrami, ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të zyrës për media në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në letrën e Behramit, të publikuar në Gazeta Blic, përmendeshit disa arsye që sipas tij e kanë shtyrë të japë dorëheqje.
Behrami akuzonte ministren Gërvalla, se është duke e mbështetur Gjykatën Speciale, teksa shtonte se ai nuk mund ta kapërdijë një gjë të tillë.
Tutje, në letrën e tij dërguar zyrtarëve në MPJD, akuzonte gjithashtu ministren se e ka shndërruar ministrinë, si fabrikë të këpucëve dhe ajo si shefe e saj.
Po ashtu, Gazeta Blic, merr vesh që këta janë vetëm disa nga emrat e një liste të gjatë të shkarkimeve nga pozitat aktuale dhe dorëheqjeve brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Mësohet se rreth 50 zyrtarë të MPJD-së, janë shkarkuar nga pozitat që mbanin, ose edhe kanë dhënë dorëheqje nga ato.
E gjithë kjo situatë brenda ministrisë, ishte paralajmëruar nga vetë ministrja Gërvalla, me datë: 9 janar të këtij viti.
Në një shkrim të gjatë, ministrja ankohej në disa zyrtarë të ministrisë, teksa jepte edhe shembuj që sipas saj nuk janë kryer punët siç duhej.
Ministrja Gërvalla, në atë shkrim fliste edhe për reforma brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme,
“…pas një faze shumë intensive të identifikimit jo vetëm të dobësive, por edhe potencialit për reformë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tani kemi hyrë në fazën finale të fuzionimit të ish-Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ish-Ministrisë së Diasporës, fuzionim ky që ka dështuar ta kompletojë qeveria gjatë mandatit të kaluar”, shkruante Gërvalla.
“Në kuadër të riorganizimit të MPJD-së ndodhemi në prag të implemetimit të rregullores së re të brendshme, e cila do të mundësojë një funksionim më të mirë dhe më efektiv të këtij institucioni. Ndihem shumë krenare me të gjithë ata zyrtarë të shumtë, brenda dy ministrive dhe jashtë nëpër misione diplomatike, të cilët me përkushtimin, pasionin dhe zellin e tyre, me integritet personal dhe profesionalizëm punojnë shumë çdo ditë për të forcuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Pa ta e gjithë kjo punë kolosale nuk do të kishte qenë e mundur”, vazhdon shkrimi i ministres.
Gërvalla fliste edhe për shkelje ligjore që sipas saj kanë ndodhur viteve në fundit brenda ministrisë, teksa thoshte se do t’i shfuqizojnë secilin prej tyre.
“Kemi analizuar shkeljet e shumta ligjore të viteve të fundit. Në vijim do të shfuqizojmë një nga një të gjitha vendimet e jashtëligjshme, duke kthyer kështu më në fund ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në këtë institucion”, thuhej në shkrimin e Gërvallës.
Shkrimi i plotë i ministres Gërvalla pa ndërhyrje:
Të dashur miq,
pas një faze shumë intensive të identifikimit jo vetëm të dobësive, por edhe potencialit për reformë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tani kemi hyrë në fazën finale të fuzionimit të ish-Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ish-Ministrisë së Diasporës, fuzionim ky që ka dështuar ta kompletojë qeveria gjatë mandatit të kaluar.
Në kuadër të riorganizimit të MPJD-së ndodhemi në prag të implemetimit të rregullores së re të brendshme, e cila do të mundësojë një funksionim më të mirë dhe më efektiv të këtij institucioni.
Ndihem shumë krenare me të gjithë ata zyrtarë të shumtë, brenda dy ministrive dhe jashtë nëpër misione diplomatike, të cilët me përkushtimin, pasionin dhe zellin e tyre, me integritet personal dhe profesionalizëm punojnë shumë çdo ditë për të forcuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Pa ta e gjithë kjo punë kolosale nuk do të kishte qenë e mundur.
Kemi analizuar shkeljet e shumta ligjore të viteve të fundit. Në vijim do të shfuqizojmë një nga një të gjitha vendimet e jashtëligjshme, duke kthyer kështu më në fund ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në këtë institucion.
Do të hapim konkurse të reja, të bazuara në kritere transparente profesionale për ta pasuruar MPJD-në me diplomatë të kualifikuar mirë, në mënyrë që të krijojmë një ekip profesional solid dhe premtues për të ardhmen e diplomacisë sonë. Në bashkëbisedim me profesionistë të mirëfilltë brenda dhe jashtë vendit, do të vazhdojmë të ridefinojmë kriteret profesionale për kualifikim dhe për emërim dhe nuk do të punësojmë persona që nuk plotësojnë standardet bazë të nevojshme për t’i shërbyer vendit tonë jashtë apo brenda.
Dhënien e gradave do ta vendosim në binarë ligjorë duke shpërblyer punën dhe profesionalizmin, e jo përkatësinë partiake, klanore apo familjare.
Kemi audituar ndërkohë sektorët e ndryshëm të ministrisë dhe tani jemi në fazën e implementimit të rekomandimeve të auditorit. Auditime të tjera të rëndësishme do të vijojnë. Kështu kemi funksionalizuar zyrën e personelit, kemi ndalur shkeljet gjatë emërimeve, shpërdorimin e parasë publike dhe kontratat e tenderët e pakuptimtë. Kemi ndalur po ashtu edhe udhëtimet e panevojshme duke implementuar mekanizma rigoroze të kontrollit.
A jemi perfekt në punën dhe rezultatet tona? Sigurisht që jo.
Por ajo që me siguri do të vazhdojmë të bëjmë është, të vazhdojmë të punojmë fort për të arritur ristrukturimin e diplomacisë sonë dhe të MPJD-së, në mënyrë që të kemi një politikë të jashtme larg më efektive se gjatë viteve të fundit.
Miq të dashur,
të gjitha këto masa nuk kam pritur të kalojnë pa debate dhe përpjekje për ta skandalizuar vendosjen e ligjshmërisë në MPJD.
Gjatë ditëve, javëve dhe muajve të fundit vështirë t’iu shpëtosh „lajmeve“ të ndryshme rreth „bëmave“ të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe sidomos ndaj meje si drejtuese e këtij institucioni. Të krijohet përshtypja sikur këta zëra dje kanë ardhur nga një planet tjetër dhe prandaj habiten me realitetin e trashëguar brenda institucioneve të Kosovës. “Shkelës të ligjit”, “anti-UÇK”, “tejmase agresivë ndaj Rusisë”, “jo mjaftueshëm konstruktivë ndaj Serbisë”, “jo të bindur sa duhet ndaj ndërkombëtarëve”, “qeveri praktikantësh” janë vetëm disa nga etiketimet.
Të mos flasim për „skandalet dramatike“ në Tëitter, këpucët, frizura. Shtojini këtyre edhe kërcënimet, sharjet banale, shantazhet e ulëta dhe fyerjet jo vetëm ndaj MPJD-së dhe atëherë përafërsisht mund ta shihni fushëbetejën e një strategjie për të ngadalësuar ose madje edhe ndalur përfundimisht qeverinë në reformimin e domosdoshëm të institucioneve, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe hijeve të shëmtuara të së shkuarës.
Kritika ndaj qeverisë dhe veprimeve të saj, ndaj gabimeve apo dështimeve të saj është thelbësore dhe e domosdoshme për çdo demokraci të vërtetë. Kritika e mirëfilltë, sado e ashpër apo agresive të jetë, në radhë të parë bazohet në fakte dhe në të vërtetën. Fushatat me lajme tërësisht të rreme, në fund të fundit, më shumë sesa sulm ndaj individëve të caktuar janë sulm frontal kundër së vërtetës dhe faktit.
Dhe nëse e vërteta në vetvete është nën sulm, atëherë beteja për mbrojtjen e saj merr një dimension të ri. Sulmet e përziera me gënjeshtra të kulluara nuk është se janë dukuri e shpikur në Kosovë. “Fake Neës” janë kthyer në rrezik serioz, madje edhe për demokraci më të qendrueshme dhe më të dëshmuara se e jona. Përgjegjësi e një qeverie është jo vetëm që të kujdeset për hartimin dhe zbatimin e politikave të veta. Shumë më i rëndësishëm është roli i saj si garantuese e lirisë dhe demokracisë së qytetarëve të saj. Dhe prandaj mbrojtja e vendit nga sulmi ndaj së vërtetës dhe faktit, nga jashtë apo nga brenda, është një detyrim kyç.
Nuk është hera e parë që dëshmojmë vendosmërinë tonë të sprovuar në kohët më të errëta të pushtimit serb dhe në epokën e mbajtjes peng nga bandat e korruptuara dhe elitat e korruptuara politike.
Në anën tjetër, asgjë nuk ka të papritur në qasjen e atyre që po humbasin jo vetëm privilegjet dhe paratë, por që po e shohin çdo ditë e më tepër që kontrolli i tyre në vendin tonë po dobësohet dita-ditës.
Edhe më shumë ankesa dhe klithma do të mund dëgjoni gjatë javëve të ardhshme, atëherë kur në kuadër të strukturës së re të një ministrie moderne dhe efektive të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të hyjmë në fazën e verifikimit të kompetecës, në implementimin e plotë të kritereve profesionale dhe transparencës tek të gjitha postet drejtuese brenda kësaj ministrie.
Stuhia e pafund e ankesave do të vazhdojë edhe në javët në vijim. Të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat tona jashtë vendit në kundërshtim me ligjin ose që nuk i kanë përmbushur pritjet elementare të një diplomati, do të kthehen gradualisht në Prishtinë. Pas gjithë atyre viteve pa ligjshmëri, ligjin do të zbatohet përfundimisht edhe në këtë fushë. Por shteti ligjor është shtet ligjor dhe jo shtet i nepotizmit, i privilegjeve të pafundme dhe i tradhtisë ndaj taksapaguesve dhe djersës së tyre. Pra, nga cilësia e karakterit bazë njerëzor dhe profesionalizmi, nga dija dhe zelli do të varet se a do ta gëzojë dikush privilegjin ta përfaqësojë vendin tonë krenar.
Zyrtarët e Kosovës në ambasada, konsullata dhe në ministri në fund të fund shef e kanë ligjin dhe sovranin, pra qytetarin e Republikës së Kosovës, atë që jeton brenda por edhe jashtë vendit. Kush nuk e kupton këtë parim bazë, kush nuk e kupton që është privilegj i jashtëzakonshëm të shërbesh, nuk meriton të shërbejë në misionet e tona diplomatike.
Ja një shembull:
Dikush vjen një ditë tek unë në zyrë dhe ankohet për kërkesën time për të ndaluar praktikën e udhëtimeve të pakuptimta dhe të shtrenjta jashtë vendit, të cilat nuk i shërbejnë synimeve as të diplomacisë dhe as të politikës së jashtme, por thjesht organizohen për shkak të mëditjeve që merren. Gjatë bisedës e kupton që kredia personale që ky person e kishte marrë në bankë ishte gati dyfish më e lartë se rroga e tij dhe ishte paguar në të kaluarën duke llogaritur në mëditje. Ti pyet veten se çfarë nuk shkon me këta njerëz që presin që taksapaguesi jo vetëm të paguajë për fluturime dhe akomodime të kushtueshme dhe të shtrenjta – por edhe për banesat e tyre private.
Një matje e efektivitetit të punës në MPJD tregon se ka shumë hapësirë për përmirësim. Praktika e deritanishme e mosrespektimit të orarit i dëmton financat publike, por njëkohësisht dëmton edhe të gjithë ata kolegë në MPJD, të cilët jo rrallë punojnë jo vetëm gjatë orarit të rregullt, por edhe deri në 12 orë në ditë për të kompensuar mospunën e disave.
Sigurisht që ata, të cilët për herë të parë pas shumë vitesh do të detyrohen ose të punojnë si gjithë të tjerët, ose të largohen, nuk janë të lumtur me ndryshimet që kanë ndodhur. Kosova dhe qeveria e saj përballen me rezistencën e atyre që ende mendojnë se nuk është privilegj të punosh për vendin tonë krenar.
Por ndryshimi në Kosovë, edhe pse diku diku ende i ngadalshëm, tashmë është i pandalshëm. Gabon kush dyshon në vendosmërinë tonë për ta mundur të keqen dhe për ta ndërtuar të ardhmen duke i shërbyer Republikës sonë krenare dhe qytetarëve të saj. Për të realizuar premtimin që dhamë dhe për të cilin u zgjodhëm. Kësaj rruge i kemi hyrë së bashku dhe nuk do të lëkundemi. As qeveria dhe as qytetarët.