Lajme

Nasim Haradinaj thotë se s’kanë shumëzuar, shpërndarë apo publikuar materialet e dërguara në zyret e OVL-UÇK-së

01/13/2022 11:49
nga:N M

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se nuk kanë shumëzuar, shpërndarë apo publikuar materialet që u ishin dërguar në zyret e OVL-UÇK.

Këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin që po zhvillohet ndaj tij dhe Hysni Gucatit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.

Fillimisht, ai ka deklaruar se është informuar nga Faton Klinaku lidhur me sekuestrimin e paketës së parë, kurse tha se nuk ka qenë prezent aty.

“Për herën e parë, vetëm mund t’i referohem çka kanë thënë të tjerët”, ka thënë ai.

Ndërkaq, shtoi se nuk e ka parë autorizimin për sekuestrimin e të njëjtave.

Më pas, Haradinajt, i është treguar një postim në rrjetin social “Facebook”, për të cilin prokurori e pyeti se a e sheh emrin e tij në të djathtë të fotografisë.

“Po, në të djathtë e shoh emrin tem që është në Facebook”, tha ai, kurse prokurori tha se është postim i tij i datës 9 shtator.

Haradinaj tha se ai nuk e ka postuar këtë, por është postim i Faton Klinakut që e ka shpërndarë, pasi ai vet ka qenë në Shqipëri.

“E kam shpërnda, nuk është as që e kam pa këtë letër, as që e kam fotografu,”, tha Haradinaj.

Ai është pyetur nëse ka parë autorizim ligjor për sekuestrimin e paketës së dytë të materialeve.

“Nëse duket qishtu. Nuk kam pa, as qito se kam pa fizikisht, asnihere”, tha Haradinaj.

Tutje, atij iu prezantua një video, nga një intervistë, ku për të cilën u pyet nga prokurori se çfarë mendon se është dokumenti që ai ka në duar në këtë video.

“Mu ka servu prej Fatonit, kur kanë lyp këta me dokumentu jam kon tu jep intervistë. Meqenëse isha në intervistë ja tregova këtë dokument që ma dha Fatoni. Unë çdo gjë që ka ardh ose kam pa në zyre e kam bo transparent. Bile kjo thotë me publiku, ne thojmë nuk i publikojmë, i kemi qit ata që dojnë mi publiku le t’i publikojnë”, tha Haradinaj.

Kurse, shtoi se ai nuk ka parë kësi dokumenti dhe nuk iu ka dhënë atij ndonjë i tillë, e se nuk ka parë as Hysni Gucatit që i është dhënë.

“Thash për Hysnin nashta edhe ja ka dhon nuk e di, por për mu e di ka qenë një fletë, dhe ju ka drejtu Hysnis, s’ka mujt Hysnia se ka qenë larg dhe thash a muj, dhe e keni qat dokument që o nënshkru në emër tem”, tha ai.

Sërish shtoi se ka qenë duke dhënë intervistë në atë video dhe e kanë pyetur se a kanë lënë ndonjë dokument, e se ka ardhur Fatoni dhe ia ka servuar atë dokument që i ka treguar gazetares.

“A e dini që njëri prej detyrimeve që jepte ai dokument që po mbanit në dorë në video ishte të mos publikonit dokumente të tilla”, ka pyetur prokurori.

Kurse, Haradinaj tha se ky dokument është ai që ka thënë Faton Klinaku se e kanë lënë kur i kanë marrë paketën e parë dhe se nuk kanë pasur çfarë të publikojnë atë kohë.

“Ne nuk i kemi publiku asnihere. Na vetëm i kemi qit, u kon në dorën e tjerëve sa dojnë me publiku dhe sa me marr, sipas qefit të tyne”, tha ai.

Prokurori më pas sërish ia ka përsëritur pyetjen, e Haradinaj tha nuk e ka ditur këtë, kurse tha se po shpreson se këtë nuk e ka ditur as OVL-UÇK.

Ndërkaq, avokati i Haradinaj, Toby Cadman kërkoi nga prokurori që të bëjë pyetjen ndryshe, meqenëse Haradinaj nuk mund të flas për gjithë organizatën.

Më pas, prokurori kërkoi të shfaqet edhe një video tjetër të një interviste, ku dëgjohej Gucati duke thënë se i kanë thënë zyrtarë të ZPS-së se materialet nuk duhet të shumëzohen, shpërndahen apo publikohen emrat e dëshmitarëve.

Ai e ka pyetur se a i kujtohet kjo konferencë për shtyp, kurse Haradinaj e pyeti a e she këtë fotografi dhe si duhet t’i kujtohet kur nuk ka qenë.

“Nuk kam qenë këtu se është e pamundshme po të ishte bërë konferencë me detyrat si zëdhënës që mos të flisja”, tha Haradinaj.

Prokurori e pyet se kur Gucati thotë se u kanë thënë qartë se këto dokumente nuk mund të shumëzohen, shpërndahen e emrat të mos publikohen, a është mesazh që e ka marrë edhe ai vet.

“Si kam mujt me marr këtë mesazh kur nuk kam qenë”, ka pyetur Haradinaj.

Kurse, u pyet se a do të thotë kjo që avokati Tomë Gashi, ja ka dhënë këtë informacion vetëm Gucatit dhe jo atij.

“Këtu është thënë mos mi shumëzu, shpërndarë, dhe këtë nuk e kemi bërë asnjëherë. Kështu e ka kuptu besoj zoti Gucati. Dhe këtë nuk e ka bërë as Gucati, as na”, tha Haradinaj, kurse shtoi se këtë intervistë nuk e ka parë, meqenëse ka qenë edhe ai i ftuar në intervista tjera.

Ndërkaq, prokurori i tha se a e kanë ditur që ZPS nuk ka dashur të shpërndajnë dokumentet, kurse Haradinaj e pyeti se a po e konstaton prokurori se çka ka ditur ai.

Tutje, Haradinaj tha se ata kanë kuptuar se nuk duhet të shumëzojnë, shpërndajnë e publikojnë materiale dhe se asnjërën nuk e kanë bërë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./ BetimipërDrejtësi