Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt ka dalë me njoftim për prindërit, duke iu treguar se organizimet e ashtuquajtura “parambrëmje e maturës” nuk organizohen nga ta dhe si të tilla, sipas tyre, janë të jashtëligjshme.
“Organizimet jashtë arsimore, të paralajmëruara së fundmi nga disa nxënës, të njohura si “parambrëmje e maturës”, janë organizime të jashtëligjshme, private, pra joinstitucionale dhe si të tilla, nuk kanë mbështetjen dhe nuk janë të organizuara nga Drejtoria e Arsimit, as nga mësimdhënësit dhe as nga drejtuesit e shkollave”, thuhet në njoftimin e komunës, transmeton Klankosova.tv.
Drejtoria tha se organizimet e tilla bien në kundërshtim edhe me masat kundër COVID-19.
“Pra, njoftojmë prindërit, se organizimet e tilla nuk janë organizime institucionale, rrjedhimisht institucionet lokale të arsimit nuk bartin përgjegjësinë për rrjedhën e këtyre ngjarjeve. Tashmë, Drejtoria e Arsimit, pas identifikimit të organizatorëve, një grupi të nxënësve, ka njoftuar edhe drejtuesit e shkollave dhe organet shkollore që të bartin këtë mesazh te nxënësit dhe prindërit”, thuhet tutje në komunikatë.


