Drejtori Rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge, deklaroi se varianti Omicron i COVID-19 përhapet më shpejt dhe më gjerë se variantet e mëparshme dhe paralajmëroi se brenda 6-8 javësh më shumë se gjysma e Evropës do të infektohet me variantin Omicron.
Në një konferencë për shtyp nëpërmjet video-konferencës, Kluge tha se në rajonin evropian të OBSH-së janë përcaktuar mbi 7 milionë raste të Omicron në javën e parë të vitit dhe se është vërejtur një rritje dy herë më shumë në krahasim me një javë më parë.
Në Evropë, 26 vendet njoftojnë se çdo javë më shumë se 1 për qind e popullatës së tyre infektohet me COVID-19, tha Kluge, i cili tërhoqi vëmendjen se mund të formohet një presion i madh në sistemet shëndetësore të vendeve.
Kluge u shpreh se në rajonin e Evropës dhe Azisë së Mesme në të cilat ai është përgjegjës, varianti Omicron është përcaktuar në 50 prej 53 vendeve, se Omicron është bërë shpejt dominues në vendet e Evropës Perëndimore dhe se është përhapur me shpejtësi në Ballkan.
Varianti Omicron përhapet më shpejt dhe me përmasa më të gjera se variantet e mëparshme theksoi Kluge, duke u bërë thirrje vendeve që në ambiente të mbyllura ta bëjnë të detyrueshme vendosjen e maskave me cilësi të lartë. Po ashtu Kluge ka kërkuar që grupeve nën rrezik, përfshirë punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarve, t‘u jepet përparësi në kryerjen e vaksinave përforcuese.
“Sipas parashikimeve të Institutit për Matjen dhe Vlerësimet Shëndetësore (IHME) në 6-8 javët e ardhshme me variantin Omicron do të infektohet më shumë se gjysma e popullsisë së Evropës”, u shpreh Kluge, duke vënë theksin se ka shqetësim të thellë se mund të ketë më shumë vdekje me përhapjen e variantit Omicron në vendet lindore të Evropës ku vaksinimet janë më të pakta.
Belgjikë, numri i rasteve ditore me COVID-19 ka kaluar në mbi 20 mijë