Lajme

Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd është nisur drejt Krushevcit, Qeveria thotë se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë

01/12/2022 00:42
nga:Gazeta Blic

Një autobus i linjës Prishtinë-Graz (Austri) sonte rreth orës 22:00 ka pësuar aksident në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi.

Sipas informatave të para, janë 9 udhëtarë të lënduar në spital dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.

Kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz.

Qeveria e Kosovës, me anë të një komunikate në Facebook ka thënë se një zyrtar i tyre ka udhëtuar drejt vendit të ngjarjes.

“Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident”, thotë ndër të tjera kjo komunikatë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.