Rregullorja e re e punës së Kuvendit të Kosovës që aktualisht është vetëm draft- rregullore, ka përcaktuar qartë edhe masat ndaj të zgjedhurve të popullit, këtë rast deputetëve. Nga masat nuk përjashtohen as ministrat e Qeverisë së Kosovës.
Me rregulloren e re parashihen disa masa ndaj deputetëve e që janë tri nga to, por më e ‘rënda’ sanksionimi financiar.
Në nenin 64 të kësaj draft rregulloreje në pikën 1 saktësohet se cilat masa mund të merren ndaj një deputeti ose ministri në rast se përdor gjatë diskutimeve fjalë fyese, cenon personalitet e Kryesuesit të seancës ose edhe deputetit.
Neni 64
Masa e largimit nga seanca ( pikat 1, 2 dhe 3)
“Kur deputeti ose anëtari i Qeverisë përdor fjalë fyese, cenon personalitetin e Kryesuesit të seancës ose deputetit, ose vazhdon të bëjë shkelje, pasi më parë në të njëjtën seancë janë zbatuar masat, sipas nenit 62 të kësaj Rregulloreje, Kryesuesi i seancës merr masën “largim nga seanca plenare” për atë ditë. Në rast se deputeti ose anëtari i Qeverisë nuk pranon të dalë nga salla, Kryesuesi i seancës e ndërpret seancën dhe urdhëron shërbimin e sigurisë në Kuvend zbatimin e masës. Masa “largim nga seanca plenare” shoqërohet me sanksion financiar të barabartë me kompensimin për një seancë plenare.
Në këtë rregullore që e ka siguruar Gazeta Blic në Nenin 83 është paraparë edhe procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve.
Por këtu janë disa projektligje që rrallë herë përmenden në Kuvendin e Kosovës, përjashtuar atë për Buxhetin e Kosovës.
Neni 83
Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve ( pikat 1, 2 dhe 3)
Shqyrtimi i parë i Projektligjit me procedurë të përshpejtuar, nuk mund të bëhet më herët se 48 orë nga shpërndarja e materialit, ndërsa shqyrtimi i dytë nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit në parim, me përjashtim të gjendjes së jashtëzakonshme ose shpalljes së Gjendjes emergjente. Me kërkesë të Qeverisë ose të ¼ (një të katërtës) të numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi shqyrton me procedurë të përshpejtuar projektligjet që ndërlidhen me:
2.1. Sigurinë kombëtare;
2.2. Shëndetin publik; dhe,
2.3. Çështje buxhetore dhe financiare. Kërkesa nga paragrafi 2 i këtij neni i adresohet Kryetarit të Kuvendit, i cili e thërret seancën plenare.
Në nenin 126 parashihet edhe shfuqizimi i rregullores aktuale që punon Kuvendi i Kosovës e datës 29 prill 2010.
“Kjo Rregullore hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera.