Kuvendi i Kosovës pritet që shumë shpejtë ta miratoj rregulloren e re të punës.
Për këtë tashmë Grupi Punues ka nisur punën për hartimin e saj.
Gazeta Blic ka arritur të siguroj draft- rregulloren e re të punës së legjislativit e ku në të parashihen edhe disa ndryshime.
Përmes rregullore së re të punës së Kuvendit do të themelohet një trup i ri në Kuvendi i quajtur “konferenca e kryetarëve”, që u jep rol vendimmarrës edhe shefave të grupeve parlamentare.
“Për të shmangur vonesat procedurale, forcon rolin e Kryetarit të Kuvendit në çështjet si përgatitja dhe propozimi i rendit të ditës dhe shpërndarja e projektligjeve. Formalizon (normon) praktikën aktuale të konsultimit me shefat e grupeve parlamentare rreth rendit të ditës, duke krijuar Konferencën e Kryetarëve, si një organ të ri të Kuvendit”, thuhet ndër të tjera në draft rregulloren që e ka siguruar Gazeta Blic.
Me rregulloren e re të punës së Kuvendit të Kosovës do të forcohet edhe roli i deputetit të Kosovës ku ai në do ta ketë të drejtën ta qoj deri në fund debatin e tij me një ministër të Qeverisë për pyetjet parlamentare ose jashtë rendit të ditës që mund t`i parashtroj.
“Reformon mekanizmin e Pyetjeve Parlamentare, duke i dhënë mundësinë deputetit që të mbyll diskutimin rreth çështjes së ngritur (deri tani fjalën e fundit e kanë pasur ministrat). Gjithashtu, mundësohet edhe organizimi i seancave të veçanta për pyetje parlamentare (në rastet kur ka numër të madh të pyetjeve parlamentare, në këto raste nuk kërkohet kuorum për mbajtjen e seancës)”, thuhet po ashtu ndër të tjera në rregulloren e re të punës së Kuvendit që pritet të miratohet gjatë sesionit pranveror.
Në këtë rregullore definohet edhe më mirë procedura e inicimit, mbarëvajtjes së diskutimeve gjatë interpelancës, si dhe mënyrën e trajtimit të mocioneve të interpelancës.
Ndër ndryshimet tjera që parasheh draft-rregullorja, është ndryshuar pjesa e procedurës së përshpejtuar të ligjeve, duke përcaktuar afatin se kur mund të ndodh kjo; ndarja e procedurës për shqyrtimin e buxhetit nga ligjet tjera… dhe disa ndryshime të tjera.
Kuvendi i Kosovës tash e dhjetë vjet ka punuar me rregulloren e punës që aktualisht është në fuqi por pavarësisht disa tentimeve që ajo të ndryshohet nuk ka pasur vullnet politikë nga të gjitha subjektet për një gjë të tillë.
Miratimi i Rregullores së re të punës së Kuvendit ka qenë kërkesë e kahmotshme edhe e organizatave joqeveritare që e përcjellin punën e legjislativit.
Më 29 Prill, 2010 Legjislatura e III-të e Kuvendit, në përputhje me nenin 76 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës pati miratuar Rregulloren e parë të punës.
Deri në atë kohë, Kuvendi i Kosovës, funksionimin e tij të brendshëm e rregullonte me Rregulloren e punës të dalë nga Korniza Kushtetuese e UNMIK-ut.
Instituti Demokratik i Kosovës ishte më i zëshmi për ndryshimin e Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Sot, 11 vite pas, Kuvendi ende nuk ka arritur të nxjerrë një rregullore të re dhe më të avancuar, ndonëse praktikat parlamentare rekomandojnë që secila legjislaturë në fillim të punës së saj të përditësojë atë për t’iu përshtatur kontekstit politik dhe shoqëror. Përpjekjet e legjislaturave paraprake për të miratuar Rregulloren e re nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mungesës së konsensusit të grupeve parlamentare lidhur me përmbajtjen e saj dhe krizave politike të njëpasnjëshme nëpër të cilat është futur vendi” thuhej në kërkesën e KDI.
Sipas KDI, Kuvendi i Kosovës përgjatë kësaj dekade është përballur me sfida serioze të cilat kanë cenuar funksionimin normal të tij dhe kanë penguar përmbushjen e mandatit të tij kushtetues.
“Mungesa e kuorumit për vendimmarrje, mospjesëmarrja e rregullt e deputetëve në punime, përdorimi i praktikave dhe gjuhës joparlamentare, mbikëqyrja e dobët parlamentare, dështimi në përmbushjen e agjendës legjislative dhe organizimi i dobët i punës janë vetëm disa prej sfidave me të cilat po përballet Kuvendi për një kohë të gjatë”, ka rikujtuar Instituti i Kosovës për Demorkaci në kërkesën e tyre për rregulloren e re të punës së Kuvendit të Kosovës.