Qeveria italiane ka firmosur dekretin e masave të reja anti-Covid, i cili bën të detyrueshëm vaksinimin e qytetarëve që kanë mbushur moshën 50 vjeç e sipër.
Kjo masë hyn në fuqi më datë 15 shkurt 2022 e ka një afat kohor deri më 15 qershor.
Ndaj çdokujt që nuk do të zbatojë këtë rregull të ri, është parashikuar një masë administrative me vlerë 100 euro.
Ndërsa për të gjithë ata punonjës mbi 50 vjeç që prezantohen në vendin e punës si në sistemin publik dhe atë privat pa Super Green Pass, i cili vërteton imunitetin e tyre me vaksinë apo që e kanë kaluar Covid 19 në gjashë muajt e fundit, nuk do të lejohen të punojnë.
Do të qëndrojnë në shtëpi pa të drejtë page, por do t’iu ruhet vendi i punës.
Për ata mbi 50 vjeç që janë të papunë, nëse ndalohen në rrugë e nuk kanë të vërtetuar se kanë bërë vaksinën, do të gjobiten me 100 euro, ndërsa të punësuarit në adminsitratën publike në sektorin e shërbimeve, në sistemin financiar, bankar, postal e në aktivitete tregtare, nëse do të jenë pa Green Pass, gjobvënia do te këtë vlerën nga 600 në 1500 euro.
Masat e reja të qeverisë italiane kanë të bëjnë dhe me sistemin shkollor, i cili do të nisë më 10 janar 2022.
Për ciklin e ulët nëse shfaqen dy ose më shumë raste pozitive, bëhet i detyrueshëm mësimi online për 10 ditë, ndërsa në ciklin e parë dhe të dytë, në rast të identifikmit qoftë të një nxënësi të vetëm pozitiv, kërkohet autokontrolli e testimi personal, e në klasë bëhet e detyrueshme maska Ffp2.
Kryeministri italian Mario Draghi ka deklaruar se qeveria italiane ka ndërmarrë këto masa shtrënguese me qëllim mbajtjen nën kontroll të sistemit spitalor, i cili gjatë orëve të fundit ka shënuar një rritje të numrit të pacientëve Covid që kërkojnë kurim spitalor, si dhe për të vazhduar e mbajtur hapur aktivitetet ekonomike e sistemin shkollor.
Në 24 orët e fundit, Italia ka regjistruar 219 441 të infektuar e 198 viktima.
Janë mbi 1 milionë e 113 mijë tamponë të kryera gjatë një dite e niveli i pozitivitetit ka arritur sot në 19.3% të rasteve.
/Ora News/
Blinken bën thirrje për zgjidhje paqësore të trazirave në Kazakistan