Gjatë ditës së djeshme fshati Llaushë i Skenderajt përjetoi një ngjarje të rëndë. Një 51-vjeçar me inicialet S.Q., dyshohet se ka qëlluar për vdekjen gruan e tij 48-vjeçare me inicialet L.Q., rreth orës 13:40.
Sipas Policisë, 51-vjeçari i cili më pas u arrestua dyshohet se e ka plagosur gruan e tij, nënë e tre fëmijëve, e cila është dërguar me urgjencë në Spitalin e Mitrovicës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Por, pesë ditë më parë, tani e ndjera me inicialet S.Q., e kishte paraqitur një rast në Policinë e Kosovës për dyshimin se kishte përjetuar dhunë fizike nga burri i saj.
Lidhur me këtë rast që ishte raportuar në Polici më 1 janar, prokurore kujdestare atë ditë kishte qenë Stojanka Kasaloviq.
Kështu bëri të ditur Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, i cili theksoi se prokurorja 63-vjeçare me nacionalitet serbe, nuk ka dhënë urdhër që i dyshuari S.Q., të lirohet në procedurë të rregullt.
“Biseda qysh është zhvillimi mes prokurores dhe Policisë nuk e di. Nuk është konstatimi se ka dhënë urdhër që me liru, dhe rasti me shku në procedurë të rregullt nuk është, s’është konstatimi prej prokurores. Nuk është pranuar rasti, ajo veç është informu. Rast ka pasur vetëm në Polici, jo në Prokurori. Shkresat kanë ardhur sot në Prokurori. Nuk ka konstatim shkresa të lëndës që prokurorja ka dhënë urdhër me liru”, tha Ujkani.
Se a do të merren masa ndaj prokurores Kasaloviq, Ujkani tha se do të veprojnë konform ligjit.
“Konform ligjit do t’i shikojmë të gjitha rrethanat në bazë të cilave është zhvilluar komunikimi dhe do të vendoset konform rregullave. Krejt do të shikohet, çdo gjë, në bazë të asaj që është zhvillu komunikimi. Rasti ka ardhur në Prokurori dhe duhet të trajtohet”.
Ai po ashtu tregoi se nuk është në dijeni nëse ka pasur raste të tjera të raportuara për dhunë në familje nga tanimë e ndjera, S.Q., përveç rastit të 1 janarit.
“Sa e di jo. Mesa e di veç ky rast është, nuk ka ndonjë rast tjetër. Nëse ka do definohet dhe do të sqarohet. Çdo gjë është transparente”, përfundoi ai.
Gjatë ditës së sotme në seancën për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit për vrasje të rëndë, S.Q., ka marrë pjesë prokurorja Fetije Bajrami.
Kjo e fundit në një prononcim për Paparacin deklaroi se rastin e vrasjes do ta trajtojë tash e tutje.
“Natasha Taniq e ka pasur rastin për dhunë në familje në Departament të Përgjithshëm. Tani rastin për vrasjen e kam unë, vrasje është te unë. Sot e kam bërë kërkesën për paraburgim e kam mbajtur seancën dhe jam e njoftuar për rastin”, shprehet prokurorja Bajrami.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin S.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë“.
“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme dhe gjendet në ndalim 48 orësh.