Lajme

Eksperti i rrjeteve sociale bën thirrje që të raportohen rastet e bullizmit apo shkeljes së privatësisë

01/04/2022 19:31
nga:Y I

Kompania Kerolli, e cila është e specializuar për marketing digjital, ka publikuar disa të dhëna interesante lidhur me përdorimin e rrjeteve sociale në Kosovë dhe Shqipëri gjatë vitit 2021.

Valon Kerolli që është ekspert i rrjeteve sociale dhe udhëheqës i kësaj kompanie ka treguar se bazuar në këto të dhëna rezulton që në Kosovë janë rreth 1.3 milion përdorues aktivë të rrjeteve sociale.

“Të dhënat e fundit, nëse i referohemi vetë statistikave që na mundësojnë këto rrjete sociale t’i zgjedhim dhe nëse bazohemi në Facebook atëherë i bie që në Kosovë janë rreth 1.3 milionë përdorues aktivë të rrjeteve sociale si Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe të tjera. Në Kosovë janë rreth 1.3 milionë përdorues të rrjeteve sociale që kalojnë aty një kohë bukur të madhe, ku nëse i referohemi edhe disa hulumtimeve në botë i bie që diku më shumë se 2 orë e gjysmë një person kalon në rrjete sociale brenda ditës”.

Kerolli, në Info Magazine ka treguar se Facebook nuk merr automatikisht masa ndëshkuese ndaj përdoruesve të këtij rrjeti social në Kosovë të cilët ofendojnë, bullizojnë, shkelin privatësinë e tjetrit apo përhapin gjuhë të urrejtjes për shkak të mosdetektimit automatik në gjuhën shqipe.

“Në Kosovë më së shumti përdoret rrjeti social Facebook dhe Facebooku kryesisht operon me inteligjencë artificiale dhe shumë pak persona fizikë merren me punë aty. Problemi më i madh te ne është problemi i gjuhës shqipe, sepse po të ndodhnin rastet e njëjta në gjuhën angleze pa dyshim që shumica prej tyre do të bllokoheshin për shkak të bullizmit dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes. Problemi kryesor është ai i gjuhës shqipe”.

Megjithatë, ai i ka bërë thirrje të gjithë atyre që mund të jenë pre e bullizmit, gjuhës së urrejtjes apo shkeljes së privatësisë në çfarëdo mënyre nga profilet private apo ato të mediave online t’i raportojnë ato në Facebook.

“E vetmja mënyrë për t’i penguar është procesimi manual, sepse Facebooku ofron kontakt forma ku ti mundesh me raportu nëse të është shkelë privatësia, je bullizuar, apo është keqpërdorur diçka që është në pronësi intelektuale tënden. Mënyra e vetme në Kosovë për personat të cilët bullizohen, ofendohen apo i keqpërdoret privatësia është që mund t’i raportojnë ato manualisht diçka që unë e rekomandoj, sepse nëse bllokohet një herë ose dy herë faqja e një media të caktuar do të jetë problem që të postojnë dhe kështu stepen pak dhe nuk vazhdojnë të publikojnë secilin lajm”.

“Nëse insiston një herë ose dy herë ankesa shkon te inteligjenca artificiale. Në rastin e tretë ankesën e merr një punëtor i Facebookut dhe gjasat që të fshihet ose bllokohet ai material janë shumë të mëdha. Nëse një person shkel këto të drejta tri ose katër herë, sidomos bullizmi ndëshkohet shumë rëndë, atëherë edhe mbyllet profili i atij personi ose faqja e medias që publikon”.

637 raste aktive me Covid-19 në Kosovë