Nga 38 raste pozitive sa ishin një ditë më parë sot numri i rasteve të reja me Covid-19 ka shkuar në 108, raporton Gazeta Blic.
Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.
Ekspertët e shëndetësisë në vend po paralajmërojnë rëndim dhe përkeqësim të situatës gjatë ditëve në vijim.
Infektologu, Hamdi Ramadani, tha për “Gazeta Blic” se shkak për rritjen e madhe të rasteve me Covid janë ardhja e mërgimtarëve dhe prezenca e variantit Omicron në Kosovë.
“Për fat të keq situata në vendin tonë është e ngarkuar në aspektin epidemiologjik. Tash situata do të rëndohet edhe në aspektin klinik, sepse tash ka kaluar shifra mbi 100, dhe mendoj se ditët në vijim situata do të jetë edhe më e rëndë dhe më e ngarkuar. Si në Ballkan po ashtu edhe në Evropë po përjetohet tashmë vala e pestë e pandemisë, tash edhe vendi ynë do të jetë aty. Dy faktorë që po ndikojnë në rëndimin e situatës në vend me Covid-19 janë paraqitja e variantit Omicron dhe ardhja e madhe e mërgimtarëve nga vendet ku Omicron është dominant” tha Ramadani për “Gazeta Blic”
Infektologu Ramadani bëri thirrje për vaksinim me dozën e tretë përforcuese pasi sipas tij kjo do të bëjë të mundur neutralizimin e variantit Delta, Omicron por edhe ndonjë tjetër që mund të shfaqet.
“Masat që i ka marrë Qeveria në muajin dhjetor nuk po respektohen si duhet dhe sa duhet. Maska fare nuk po përdoret, distanca dhe higjiena. Masat nuk po respektohen edhe nga qytetarët por edhe nga institucionet që duhet t’i respektojnë. Vaksinimi po ashtu në ditët e fundit në vendin tonë është tepër i ulët dhe i zbehtë krahasuar me muajin shtator apo tetor kur kishte brenda 24 orëve vaksinime që kalonin shifrën mbi 5 mijë. Ka ra interesimi për vaskinim, përkundër që kemi një numër për t’u përshëndetur të qytetarëve që janë vaksinuar, mbi 60%, është faktuar nga shkenca që dy dozat e vaksinës nuk e mbrojnë qytetarin nga varianti Omicron i cili është shumë infektues. Nëse qytetarët duan të ruajnë shëndetin e tyre duhet të marrin edhe dozën përforcuese por ajo nuk duhet të jetë me detyrim. Pra apeloj që qytetarët të vaksinohen me dozën e tretë e cila është përforcuese pasi ajo do ta neutralizojë edhe variantin Delta edhe Omicron edhe ndonjë variantë tjetër të mundshëm”
Në lidhje me situatën e rënduar foli edhe infektologu Shemsedin Dreshaj.
“Mendoj që çdoherë ka rreziqe në rast të ardhjes së mërgimtarëve. Sa i përket vendimarrjes së masave të reja duhet të vendosë ekipi këshilldhënës i ekspertëve në MSH” tha Dreshaj shkurt për ‘Gazeta Blic”
Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes në vendin tonë.
Sot janë shëruar 11 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158.078.
Në total numri i rasteve aktive është 637.
Në intervalin kohor të 24 orëve të fundit janë administruar gjithashtu 2 mijë e 161 vaksina anti Covid.
/Gazeta Blic/
Shkon në 108 numri i rasteve pozitive me Covid-19 për 24 orë në Kosovë
2 mijë e 161 vaksina u administruan në 24 orët e fundit në Kosovë