Lajme

Ibish Ahmeti shpalos detaje nga koha e luftës kur ka shërbyer si mjek në spitalin Ushtarak të Budakovës

01/02/2022 14:01
nga:Q R

Ibish Ahmeti, ka shpalosur detaje për kohën e luftës gjatë vitit 1998-99, sa ka shërbyer në spitalin Ushtarak në Budakovë të Suharekës. Në librin e tij “Duke shëruar plagët e luftës”, ai ka ndarë infotmacione për vrasjet, plagosjet, rezistencën e luftëtarëve si dhe rëniet heroike të dëshmorëve.

Sfida e parë për doktor Ibishin, kishte qenë një vajzë 12 vjeçare, për të cilën thotë se e gjetën pothuajse të coptuar nga granatat.

“Për mua sfida e parë me të plagosur të luftës ka qenë dy ditë pas 3 korrikut, ku policia ushtarake më thërrasin se është një e plagosur në lagjen e Palushve, kur shkova e pash një vajzë 12 vjeçare e cila ishe thuajse e coptuar nga granatat. S’ka pasur shenja jete, nuk kemi mundur ta njohim figurën e saj, pastaj veç e kemi përgatitur për varrim”, thotë ai.

23 gushti i vitit 98 kishte qenë dita më e lodhshme për doktorin. Brenda gjysmë ore kishin shkuar 10 ushtar të plagosur në mesin e të cilëve edhe komandant Xhemajl Rexhaj.

“Më 23 gusht të vitit 98 ka qenë dita më e lodhshme për mua, edhe fizikisht edhe shpirtërisht. Që në mëngjes brenda gjysmë ore kanë ardhur 10 të plagosur, fillimisht ka ardhur komadant Xhemajl Rexhaj, pas tij edhe 9 të tjerë, spitali ushtarak nuk ka pasur vend, ka pasur krejt 9 shtretër edhe i kemi pasur 2 të plagosur para këtyre dhe jemi detyruar me i shtri si kemi mundur. Xhemajl Rexhaj ka qenë i plagosur rëndë, ka pasur plagë shpuese në krahrorë dhe për mua si mjek s’ka pasur moment më të vështirë kur Xhemën e kisha përpara dhe nuk mundësha me i ndihmu asgjë. Me Xhemën isha njohur që nga fillimi i luftës dhe daljës së UÇK-së në Budakovë, ai na kishte ndihmuar shumë herë me furnizim me barna dhe kur ai kishte nevojë më së shumti ne nuk kishim mundësi,jo pse nuk dëshironim, por nuk kishim mundësi përshkak të mungesës së mjeteve, mungesës së ekspertëve mjekësor”, thotë Ahmeti për Gazeta Blic.

Tutje, ai thotë se pasi u rrethuan nga forcat serbe, ekipa mjekësore ishte zhvendosur në mal për ta vazhduar aty shërbimin

“Na rrethuan forcat serbe, ne me ekipen mjekësore u zhvendosëm në mal për ta vazhduar shërbimin”, thotë ai

Meraku më i madh për doktorin ishte që në atë kohë nuk kishin pasur një aparat fotografik, për t’i argumentuar të gjitha ato krime që po i bëheshin popullit shqiptar nga forcat serbe.

“E kam ditur se do të vjen dita që ata të cilët shpëtojnë kanë me rrëfy, prandaj jam munduar të mbajë shënime. Një gjë që më mbetet merak është që nuk kam pasur aparat fotografik”, deklaron ai.

Mesazhi i tij për fund ishte që historianët tanë të shkruajnë një histori të mirëfilltë të UÇK-së.

“Më mirë kish me qenë që historianët tanë të merren me një histori të mirëfilltë të UÇK-së sepse ka mjaft argumente që munden me kompletu një histori të UÇK-së”, deklaron ai.

Intervista e plotë:

/Gazeta Blic