Lajme

Kriza energjetike në Kosovë, ky është numri i konsumatorëve që furnizohen me rrymë nga KEDS-i

12/31/2021 19:27
nga:M K

Kosova po përballet me krizën më të rëndë energjetike në dhjetë vitet e fundit.

Si pasojë e kësaj krize, në vend janë rikthyer edhe reduktimet e energjisë elektrike të cilat fillimisht është njoftuar se do të jenë dy-orëshe, por në rast të përshkallëzimit të krizës energjetike, pritet të ndryshojë edhe orari i reduktimeve.

Aktualisht, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë – KEDS, furnizon me energji elektrike mbi 640 mijë konsumatorë aktiv.

“85.5 për qind e energjisë elektrike shkon për konsumatorët individual, që në numër i bie 552.974 konsumatorë individual”, ka deklaruar për lajmi.net, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Ai ka bërë të ditur se gjithashtu furnizojnë me rrymë 90.495 biznese, që përbën 14 për qind të totalit të konsumatorëve që furnizohen me energji elektrike nga KEDS.

Në anën tjetër, 0.5 për qind e energjisë elektrike shkon për ndriçimin publik.

Kujtojmë se për krizën energjetike në Kosovë kanë reaguar edhe krerët e shtetit, të cilët kanë apeluar tek qytetarët për kursim të energjisë elektrike.

Për rikthimin e reduktimeve të rrymës në Kosovë kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare, të cilat kanë intervistuar edhe pronarë biznesesh në Kosovë, të cilët për shkak të reduktimeve të rrymës kanë thënë se po shpenzojnë më shumë të holla për derivate të gjeneratorëve.

Portali ka kërkuar nga KEDS-i edhe raportin për megavatët e energjisë elektrike që janë shpenzuar gjatë vitit 2021 dhe sa prej tyre kanë qenë humbje gjatë këtij viti, por një raport i tillë nuk ka qenë ende i gatshëm dhe pritet të publikohet gjatë javëve në vijim.