Në fjalën e tij me rastin e Vitit të Ri, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri fillimisht në dukje faktin se kalimi i qetë dhe madje pothuajse miqësor nga qeveria e vjetër federale në të renë, është përshëndetur në të gjithë botën.
Kjo sipas tij “është një shenjë e mirë e forcës së shoqërisë sonë”.
Kancelari tha se “Viti 2021 ishte shumë sfidues për të gjithë ne. Pandemia me ngarkesat dhe kufizimet e saj të thella vazhdon të na mundojë të gjithëve. Dhe askush nuk do t’i harrojë përmbytjet shkatërruese në Nordrhein-Westphalia, Bavari dhe Rheinland-Pfalz”.
Sipas Olaf Scholz, sado të këqija ishin që të dyja këto ngjarje, Gjermania si shoqëri u përball me vendosmëri me këto sfida.
“Pas përmbytjes të gjithë së bashku ndihmuam, pastruam dhe filluam rindërtimin. Dhe ne do ta kemi të bëjmë me këtë për një kohë të gjatë”, tha Scholz.
Edhe në luftën kundër pandemisë në Gjermani janë vaksinuar tani më shumë se 60 milionë vetë – dhe numri po rritet çdo ditë.
“Disa ankohen këto ditë se shoqëria jonë është e ‘përçarë’. Unë dua të them me gjithë qartësinë e mundshme se e kundërta është e vërteta! Vendi ynë qëndron së bashku. Ajo që unë perceptoj kudo është një solidaritet i madh, një gatishmëri e madhe për të ndihmuar, një bashkim forcash”.
Kancelari shprehu falënderimet e tij për të gjithë ata që punojnë çdo ditë për mirëqenien, për shëndetin tonë dhe për sigurinë – brenda dhe jashtë vendit.
Në spitale, në stacionet e infermierisë, në zyrat e mjekut ose në qendrat e vaksinimit, në komisariatet e policisë dhe në forcat e armatosura.
Scholz: Duhet të jemi më të shpejtë se virusi!
Olaf Scholz, shprehu keqardhjen që edhe pas 21 muajsh pandemia nuk ka mbaruar.
Dhe sqaroi që ndalimi i festimeve të ndryshimit të viteve dhe i fishekzjarrëve u bë në mënyrë që virusi të mos përhapet më tej.